Ngjarje

ASA padit MAS për shkrirjen me Akademinë e Shkencave

Nga Gazeta Si - Akademia e Studimeve Albanologjike ka depozituar një ditë më parë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, kërkesë-padinë kundër Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për shkrirjen e ASA-s në Akademinë e Shkencave.

ASA kërkon shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave “Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e instituteve kryesore të saj” dhe marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur pezullimin e zbatimit të aktit deri në përfundim të procesit.

Më 12 qershor 2023, Senati Akademik i Akademisë së Studimeve Albanologjike vendosi ndjekjen e procesit ligjor kundër aktit të paprecedent për mbylljen e veprimtarisë të një prej institucioneve më të rëndësishme të albanologjisë, arsimit të lartë dhe kulturës shqiptare.

Sipas ASA-s, ky vendim është marrë në kundërshtim të procedurave ligjore dhe nënligjore të parashikuara nga vetë Këshilli i Ministrave dhe nga ana tjetër, në mungesë totale të konsultimit paraprak me institucionin.

“Si veprime që bien në kundërshtim me ligjin, kërkohet shfuqizimi i tyre”, shkruhet në deklaratën e ASA-s.

Padia është firmosur nga kryetari i Senatit, njëherësh rektor i ASA-s, prof.dr. Luan Përzhita.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë