Gazeta “SI”- Gibellina, një qytet sicilian i rindërtuar pas tërmetit shkatërrues të vitit 1968, po përgatitet të rilindë si një qendër arti bashkëkohor. Një program njëvjeçar ekspozitash, performancash dhe rezidencash artistike synon të animojë hapësirat e tij të braktisura dhe ndërtesat postmoderne, duke i dhënë qytetit një mundësi të re për të ringjallur vizionin utopik të artit që e ka karakterizuar që nga fillimi.
Një nga pjesëmarrësit më të rëndësishëm të programit artistik të vitit 2026 në Gibellina është edhe Sislej Xhafa, artisti i njohur shqiptar me famë ndërkombëtare. Instalacionet e tij publike do të vendosen në hapësira kyçe të qytetit, përfshirë sheshet qendrore, me synimin për t’i rikthyer ato si vende takimi dhe ndërveprimi shoqëror. Veprat e Xhafës shpesh trajtojnë tema si migracioni, identiteti, pushteti dhe absurditeti i strukturave sociale, duke e kthyer artin në një formë reflektimi kritik mbi realitetin bashkëkohor.
I lindur në vitin 1970 në Kosovë, Sislej Xhafa jeton dhe punon mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai është i njohur për qasjen e tij konceptuale dhe ndërhyrjet artistike në hapësira publike, shpesh me gjeste minimale por me domethënie të fortë politike dhe sociale. Xhafa ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Venecias dhe ka ekspozuar në institucione prestigjioze si MoMA në Nju Jork, Centre Pompidou në Paris dhe Tate Modern në Londër. Pjesëmarrja e tij në Gibellina i jep programit të vitit 2026 një dimension të fortë ndërkombëtar dhe e lidh qytetin me debatet bashkëkohore të artit global.

Shndërrimi qytetit pas tërmetit
Në qendër të këtij rifillimi qëndron Teatro, një ndërtesë betoni e mbingarkuar e projektuar nga skulptori italian Pietro Consagra. Ndërtesa duket më shumë si një parkim i shumëkatësh i braktisur sesa një teatër dhe mbetet e papërfunduar edhe pas më shumë se 40 vjetësh.
Andrea Cusumano, drejtori i programit artistik të vitit 2026, shpjegon: “Tani për tani, kjo është thjesht një skulpturë dhe ne duam ta bëjmë një ndërtesë.”
Teatro do të ruajë papërsosmërinë industriale, por do të bëhet e sigurt për vizitorët. Shfaqja e parë në këtë hapësirë do të përfshijë instalime video nga dyshja artistike italiane Masbedo dhe artisti shqiptar Adrian Paci.

Në vitet 1970, kryetari karizmatik Ludovico Corrao vendosi të transformojë qytetin përmes artit, duke ftuar artistë dhe arkitektë të njohur për të krijuar një “muze publik në ajër të hapur”. Që atëherë, Gibellina ka qenë një qendër unike për artin bashkëkohor, shpesh krahasuar me Marfa në Teksas për dendësinë e veprave artistike dhe arkitekturën postmoderne. Por, shumë hapësira kanë rënë në harresë dhe banorët shpesh nuk përdorin sheshet publike të qytetit.
Arkitektja Alessandra Badami shpjegon: “Papritmas banorët u gjendën në një peizazh urban që nuk kishte asgjë të përbashkët me atë që kishin njohur ndonjëherë. Qyteti duket si një pikturë, por njerëzit kanë nevojë për jetë në sheshe, për stola, hije dhe aktivitete.”
Megjithatë, skepticizmi mbetet i pranishëm. Artistët lokalë, si Nicolò Stabile, paralajmërojnë se shumë hapësira mund të kthehen përsëri në braktisje pas përfundimit të vitit të artit. Ai shpreh shqetësimin se autoritetet lokale nuk kanë arritur të ruajnë trashëgiminë artistike të qytetit. “Sapo viti të përfundojë, të gjitha ndërtesat do të mbyllen përsëri. Jam i sigurt për këtë,” thotë ai, duke treguar hapësirat e braktisura në Palazzo di Lorenzo, ku fasadat e vjetra ruhen në mes të ndërtesave të reja.

Megjithatë, në këtë fillim të vitit 2026, Gibellina po gjallërohet sërish nga arti. Skela ngrihet, hapësirat e braktisura po përgatiten për ekspozita dhe performanca, dhe qyteti po kthehet në një laborator të gjallë artistik. Për vizitorët, kjo është një mundësi unike për të parë një qytet në transformim , një vend ku e ardhmja ndërthur të kaluarën tragjike me ëndrrën e artit bashkëkohor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



