Media Galeri

Artisti italian që lufton urrejtjen me grafite

Svastikat në mur bëhen kekë gjigantë me krem ​​vjollce dhe fjalët “Hitleri im” shndërrohen në “kekët e mi”. Gjithë këto i përmban një ditë pune e artistit italian që lufton racizmin apo ksenofobinë duke i kthyer grafitet e mëparshëm në ushqime.

“Unë kujdesem për qytetin tim duke zëvendësuar simbolet e urrejtjes me gjëra të shijshme për të ngrënë”, thotë artisti 39-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është Pier Paolo Spinazze dhe emri profesional, Cibo.

Ai e gjen punën në një mënyrë shumë të vecantë. Cibo lajmërohet nga një prej 363.000 ndjekësit e tij në Instagram se kishte svastika dhe sharje raciste në një tunel të vogël në periferi të Veronës.

Ai i mbuloi fyerjet me një fetë të ndritshme pice margherita dhe një sallatë caprese, mocarela, domate dhe borzilok. Një svastika u shndërrua në një domate të madhe të kuqe.

Ndërsa krijoi pikturat murale në tunel, të cilat secila zgjati rreth 15 minuta, njerëzit kalonin me makinë, duke parë nga dritaret e tyre dhe përshëndetur.

Vitet e fundit grupet e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar për rritjen e racizmit në Itali pas emigrimit masiv nga Afrika. Kultura fashiste dhe diktatori i kohës së luftës Benito Mussolini kanë ende një bërthamë të fortë admiruesish.

Teksa është bërë një personazh i famshëm në Verona, Cibo ka bërë edhe armiq.

“Cibo, fli me dritat ndezur!” shkroi para pak kohësh dikush në dritaren e tij, shkrim që Cibo e ktheu në një recetë njoki.

“Të merresh me ekstremistët nuk është kurrë mirë, sepse ata janë njerëz të dhunshëm, janë mësuar me dhunën, por janë edhe frikacakë dhe shumë budallenj”, tha Spinazze.

“E rëndësishme është të rizbulojmë vlerat që mund të kemi harruar, veçanërisht antifashizmin dhe luftën kundër regjimeve totalitare që rrjedhin nga Lufta e Dytë Botërore. Ne duhet t’i kujtojmë vetes këto vlera”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë