Gazeta Si – Artan Gaçi, ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka qëndruar rreth 4 orë këtë të premte në SPAK, ku sipas burimeve thuhet se është pyetur edhe për një pronë të sekuestruar tetorin e vitit 2023 në dyshimet për konflikt interesi.
Pasi ka dalë nga ambientet e SPAK, bashkëshorti i ish-ministres është pyetur nga mediat nëse “për çfarë ishte thirrur apo nëse kishte tjetërsuar pronat në jug”. Por, Gaçi ka refuzuar të përgjigjet, duke buzëqeshur para kamerave dhe më pas është larguar.
LEXO EDHE:
– SPAK sekuestron 5.512 m2 truall në pronësi të Artan Gaçit, burrit të ish-ministres Olta Xhaçka
– ‘Investitor strategjik’ në Himarë, ish-deputeti i PS Artan Gaçi dhe bashkëshorti i Olta Xhaçkës paraqiten në SPAK
Gaçi është thirrur për të dhënë deklarime si person në dijeni për hetimin e nisur ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë, në lidhje me abuzimet me një sipërfaqe toke prej gati 11 mijë m2 në Dhërmi.
SPAK po heton pasi ka dyshime se Jorgo Goro në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë ka shpërdoruar detyrën në të dy rastet, me përfitues fundor të truallit biznesmenin Artan Gaçi, i cili ishte paraqitur edhe më herët në Prokurorinë e Posaçme në tetor të vitit të kaluar pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri.
Pak kohë më parë, Prokuroria e Posaçme sekuestroi edhe sipërfaqen e dytë të truallit të investimit strategjik të ish-deputetit Artan Gaçi në bregdetin e Dhërmiut në Himarë.
Pjesa prej 5080 m2, është një nga dy sipërfaqet, regjistrimi i së cilave dërgoi në qeli ish-kryebashkiakun në detyrë të Himarës, Jorgo Goro.
Sipas SPAK, nga hetimi paraprak ka rezultuar se të dyshuarit e kësaj çështjeje kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të sipërfaqes së sekuestruar, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Nga ana tjetër, Artan Gaçi duhet të japë shpjegime përballë SPAK se si e ka përfituar ai këtë pronë për të marrë statusin e “investitorit strategjik” dhe cilat janë praktikat që janë ndjekur.
Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, ngriti shqetësime për konflikt interesi.
Deputetë të Partisë Demokratike kërkuan në qershor 2022 heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka për përfitime antiligjore nëpërmjet statusit të investitorit strategjik dhënë bashkëshortit të saj.
Kjo kërkesë erdhi pasi mazhoranca refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike.
Më vonë, Gjykata kushtetuese i kërkoi Kuvendit të dërgonte në këtë gjykatë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës, por në qershor 2023, anëtarët socialistë në Këshillin e Legjislacionit kërkuan që të rikthejnë në pikën zero diskutimin për këtë çështje duke propozuar rimarrjen në shqyrtim nga Këshilli i Mandateve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.