Gazeta Si – Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht zv/kryeministrja Belinda Balluku, renditi të gjitha arritjet dhe sfidat për “Shqipërinë 2030” në një event të organizuar pasditen e kësaj të marte.
Një nga projektet që do të përfundojë këtë verë dhe që është një nga kalvaret më të gjata të infrastrukturës sipas saj është rruga Qukës-Qafë Plloçë.
Në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030”, Balluku theksoi se ky aks do të mundësojë një akses më të lehtë të Korçës dhe Tiranës, duke shmangur kthesat dhe trafikun.
“Këtë verë përfundon një nga kalvarët më të gjatë të infrastrukturës, aksi Qukës-Qafë Plloçë. Është një rrugë në lartësi më problematika të mëdha në ndërtim dhe projektim, por brenda verës së këtij viti do të jetë e dorëzuar dhe të gjithë ata që udhëtojnë drejt Korçës do ta aksesojnë direkt, duke lënë mënjanë të gjitha kthesat e Qafë Plloçës. Këto nukla do të kthehen në gjenerim ekonomik të zonës”, theksoi Balluku.

Sipas zv.kryeministres më 30 prill, përfundon aksi Maqellarë-Peshkopi, si edhe një sërë aksesh të tjera.
“Aksi Maqellarë-Peshkopi dorëzohet në 30 prill, por edhe një sërë aksesh të tjera si Berat-Ballaban, i ka dhënë akses një zone që lidh Beratin me Këlcyrën e Përmetin”.
Gjithashtu ajo njoftoi se ka nisur ndërtimi i rrugës Vau i Dejës-Koman që do të sjellë përfitime ekonomike e turistike.
“Shumë banorë të zonës kanë ngritur agroturizmat e tyre. Numri i vizitorëve ka arritur në 150 mijë vetë verën e kaluar. Kemi identifikuar që një rrugë e rëndësishme për zhvillimin e veriut është rruga e Sharrave. E emërtuam si rruga maleve. Është panoramike dhe piktoreske”.
Balluku u ndal në veçanti te autostrada e kategorisë A, Kashar-Lekaj, ku do të ketë një aks krejtësisht të ri, që do të bashkojë veriun me jugun e vendit, duke lehtësuar aksesin drejt bregdetit.
Kjo autostradë do të shmangë kryeqytetin, por njëkohësisht do të jetë e lidhur me të, përmes aksesit në autostradën ekzistuese Tiranë-Durrës.

“Nga Kashari në Lekaj kemi një gjurmë krejtësisht të re që lidhet me Tiranën, duke krijuar kështu një udhëtim prej 33 kilometrash siç është Korridori Blu me një shpejtë 130 km/orë. Duke i dhënë një akses të gjitha autostradave të veriut që të lidhen me ato të jugut pa kaluar në kryeqytet. Ky segment është tërësisht i ri. Ne kemi 2 tunele, 6 ura dhe 9 nënkalime. Një vepër infrastrukturore e kompletuar me të gjitha veprat e artit, nuk është e lehtë. Lekaj-Kashar do të dorëzohet në afat me të gjitha parametrat kryesore siç e parashikon kontrata”, komentoi Balluku.
Në vijim zv/kryeministrja deklaroi se deri në 2027 do të përfundojnë punimet për dy akse jetike për veriun e vendit, si Thumanë-Milot dhe Milot-Balldren.
“Kemi dy korridore, Korridorin Blu dhe Korridorin VIII. Korridori Blu është një nga korridoret më të rëndësishme evropiane, një korridor i transportit të mallrave dhe të pasagjerëve. Murriqan-Balldren është një aks i cili e ka studimin e tij dhe ne na mbetet vetëm për të vendosur mënyrën e financimit të këtij projekti. Loti Thumanë-Milot është një projekt i përfunduar, është një kontratë e lidhur, jemi në fazën e mobilimit të kantierit për të nisur direkt punimet. Thumanë-Kashar është një segment i përfunduar. Nga 30 Qershori e deri më sot kanë kaluar 6.5 milionë automjete. Në harkun e 2 viteve do të dorëzojmë Thumanë-Milot dhe Milot Balldren”, zbuloi Balluku.
Mes të tjerash, Balluku tha se aktualisht janë hapur 40 kantiere ndërtimi në të gjithë vendin, ndërsa janë ndërtuar apo rehabilituar mbi 1000 kilometra rrugë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.