Një vendim historik për bejsbollin kubanez. Është arritur akordi midis Kubës dhe MLB-së (Major League Baseball), një akord historik, që do t’u lejojë lojtarëve kubanezë të shkojnë legalisht në Amerikë, me kushtin e vetëm që të jenë mbi 25 vjeç dhe të kenë 6 vite përvojë në kampionatin elitar të Kubës në këtë sport.
Kuba e ka fituar këtë të drejtë pas tre vjetësh bisedime. Lajmi i bujshëm është dhënë nga Higinio Velez, presidenti i Federatës Kubaneze të Bejsbollit, i cili u shpreh: “Kemi tashmë një kontratë mes dy federatave, dy organizatash joqeveritare. Kemi lejen edhe të qeverisë amerikane me anë të një licence. Kjo marrëveshje ishte e nevojshme pas shumë vitesh që e kanë dëmtuar kampionatin tonë kombëtar.”
Ndoshta ky mund të jetë edhe një vendim, që mund të lëvizë diçka edhe në embargon e Amerikës, që zgjat nga viti 1962. Tani lojtarët kubanezë, të cilët kanë dëshirë të jenë protagonistë në bejsbollin amerikan nuk kanë nevojë t’ia mbathin, sepse mund ta bëjnë sipas të gjitha rregullave. Aktualisht, kubanezët në MLB mund të jenë rreth 30, por me vendimin e fundit kjo shifër do të rritet menjëherë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.