Ka ndodhur

Arrestohet polici, nxiti të miturin që të vidhte një grua

Gazeta Si - Një punonjës policie në Tiranë, me iniciale R.P., 25 vjeç, është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Ish-SHÇBA) më 13 shkurt, pasi dyshohet se kishte nxitur një të mitur që të kryente vjedhje.

Hetimi nisi pas denoncimit të një gruaje me iniciale G.M., e cila më 12 shkurt kallëzoi se i ishte vjedhur një send personal në rrugën “Brigada VIII” në Tiranë.

Gjatë hetimeve, u zbulua se ky send personal gjendej në makinën “Opel Corsa” të policit të Komisariatit Nr.2.

Agjentët ndaluan kolegun e tyre R.P., me dyshimin se kishte nxitur të miturin E.K., që të vidhte sendin personal të denoncueses.

Polici u arrestua për veprat penale të  “Vjedhjes” e kryer në bashkëpunim, “Shtytja e të miturve në krim” dhe  “Përgjegjësia e bashkëpunëtorëve”. Ndërsa i mituri u procedua penalisht në gjendje të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë