Ka ndodhur

Arrestohet noterja-mashtruese në Tiranë, nëntorin e kaluar i vunë tritol në makinë

Gazeta Si - Noterja Rezarta Koçi është arrestuar në Tiranë me akuzën për vjedhje dhe shpërdorim detyre. Policia thotë se 40-vjeçarja, gjatë ushtrimit të detyrës në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm.

Çështja është ende në hetim, “vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme” thotë policia.

Në 5 nëntor 2021, kësaj notereje iu vendos tritol në makinën e parkuar në zonën e Komunës së Parisit. Shpërthimi ishte i fuqishëm dhe për fat të mirë, përveç dëmeve të mjetit nuk pati të lënduar.

Rezarta Koçi është një emër i njohur, pasi ka shërbyer si asistente e ish-ministrit Eduard Halimi dhe punon si pedagoge në një universitet privat.

Ajo mbeti pa licencën e noteres në maj 2021, pasi një ankesë në Ministrinë e Drejtësisë solli nisjen e procedimit disiplinor ndaj saj dhe heqjen përgjithmonë të licencës. Në vitet e fundit, që prej 2019-ës, ndaj noteres janë kryer 4 kallëzime për vepra të ndryshme penale. Konkretisht për shpërdorim detyre, mashtrim, fshehje të ardhurash dhe mospagim i taksave dhe tatimeve.

Operacioni për arrestimin e saj u kodua me emrin “Noterja” dhe u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë