Rend dhe Ligj

Arrestohet në Romë Adriatik Llalla, ish-Prokurori i Përgjithshëm është dënuar me 2 vite burg

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla i dënuar me dy vite burg nga Gjykatat e Posaçme, është arrestuar në Romë. Llalla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në fillim të muajit tetor nga Interpoli pas kërkesës së SPAK, pasi kanë kaluar të paktën dy javë që kur Gjykata e Apelit vendosi ta dënojë përfundimisht me 2 vite burg me akuzën për fshehje të pasurisë.

Dokumentacioni iu dorëzua zyrës së Interpol Tiranës dhe brenda 12 orësh, emri i tij u shfaq në sistemin e personave të kërkuar në të gjitha agjencitë e huaja ligjzbatuese. Sipas sistemit TIMS, Adriatik Llalla ishte larguar nga Shqipëria në muajin nëntor.

Më 22 shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit, e gjeti fajtor Llallën për veprën penale të “fshehje së pasurisë”. Ai u dënua me dy vite burg, ndërsa për 5 vite nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik.

Llalla bëri kërkesë në gjykatë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për arsye shëndetësore, sipas nenit 476/c të Kodit të Procedurës Penale, por kërkesa nuk u pranua. 

Po ashtu, gjykata i konfiskoi ish-Prokurorit të Përgjithshëm 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës. Pavarësisht ankimimit të Llallës, Apeli la në fuqi vendimin në fjalë.

Dënimi për Llallën është dhënë nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, duke u bërë kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të përfundojë në qeli.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Hetimi ndaj tij  u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda para e të merrj në dorëzim nga SPAK këtë vit.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë