Ka ndodhur

Arrestohet në Rinas 31-vjeçari indian, e kërkonte SHBA-ja për trafik droge

Gazeta Si - Një 31-vjeçar nga India, është arrestuar në Rinas, pasi ndaj tij SHBA-të kishin lëshuar dy urdhër-arreste ndërkombëtare nga dy gjykata të ndryshme.

I riu me iniciale N.M., u ndalua në aeroport, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit kriminal.

Për arrestimin e këtij shtetasi dhe kryerjen e veprimeve të tjera hetimore nga pala shqiptare (Njësia “Mburoja e Përbashkët”) është koordinuar në kohë reale me autoritetet qendrore të drejtësisë shqiptare dhe këto të fundit kanë dhënë dritë jeshile për këtë operacion të përbashkët hetimor.

Njësia Policore “Mburoja e Përbashkët” ka kryer hetime paraprake në koordinim të vazhdueshëm, si me Zyrën Rajonale të Sigurisë të ambasadës amerikane në Tiranë, ashtu edhe me zyrtarë të DEA-s në Shqipëri.

Sipas marrëveshjeve në fushën e hetimeve penale në fuqi, ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë, pritet që shtetasi nga India të ekstradohet drejt SHBA-ve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë