Gazeta Si – Arrestohet në Marok autori i dyshuar për vrasjen e Ardian Nikulajt (këtu video) pak kohë më parë, shtetasit portugez Ruben Saraiva. Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Shtetit.
Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj.
Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë.
Në njoftim thuhet po ashtu se po punohet me autoritetet marokene për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit. Po ashtu policia shton se vijon puna për kapjen edhe të britanikut Harry Simson, personi i fundit i akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e Nikulajt, që vijon të jetë në kërkim.
Në ekzekutimin e biznesmenit Nikulaj policia thotë se morën pjesë 6 persona. Disa ditë më parë, 4 prej tyre u arrestuan në Londër.
Ata janë shqiptari 37-vjeçar Edmond Haxhia dhe britanikët Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mithan, 35 vjeç, Harriet Bridgeman, 27 vjeçe.
Policia thotë se organizator i vrasjes së Nikulajt ishte shqiptari Haxhia, ndërsa 4 britanikët, së bashku me Simson që vijon të jetë në kërkim, kishin rolin e vëzhguesve. Sa i përket Saraivës, ai ishte personi që e qëlloi atë për vdekje.
Policia dyshon se ekzekutimi i biznesmenit Nikulaj është bërë për gjakmarrje. Oficerët e policisë po hetojnë mbi konfliktin 20 vjeçar që Nikulaj ka me fisin Lekstakaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.