Gazeta Si – Edison Pula, i cilësuar si “mjeshtri i arratisjeve” nga burgu dhe me një “karrierë” të pasur kriminale, brenda dhe jashtë vendit, është arrestuar në Luksemburg, në pritje të ekstradimit të tij në Shqipëri.
Ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, i dënuar me 14 vite burg për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
LEXO EDHE:
– Arratisja e Edison Pulës nga burgu në Itali, autoritetet: Sharra që preu hekurat e qelisë iu dërgua me dron
– Hetimet për arratisjen nga burgu italian, Edison Pula mund të jetë ndihmuar nga ‘Ndrangheta’
Edison Pula, 30 vjeç, i lindur në Krujë, njihet si anëtar i Bandës së Niklës dhe njeriu që në Shqipëri i shpëtoi nga duart dy policëve, të cilët po bëheshin gati ta fusnin në qeli.
Por arratisjet nga burgu ishin kthyer në një “zakon” për Pulën, i cili u largua së bashku me dy shqiptarë të tjerë nga një burg i Trevizos në Itali në qershor 2022.
Arratisja e 30-vjeçarit shqiptar nga burgu i Trevizos bëri bujë për mënyrën e sofistikuar, pasi sharra me të cilën preu hekurat e qelisë i erdhi me dron dhe në gjithë këtë skemë, dyshohet se u ndihmua nga anëtarë të klanit mafioz “Ndrangheta”.
Pula ka mbledhur dënime prej 16 vitesh në Shqipëri për tentativë vrasje, grabitje, mbajtje eksplozivi dhe krime të tjera që lidhen me trafikun e drogës.
Por edhe në Itali nuk ishte më pak. Në qershor 2022, ai duhej të ishte paraqitur në Gjykatën e Bolzanos, pasi akuzohej se kishte kryer rreth 50 vjedhje dhe grabitje me armë. Por në fakt nuk doli, pasi u largua përmes një super arratisje nga burgu i Trevizos.
Pula, anëtar i bandës së Niklës, u arrestua në shkurtin e vitit 2022 në qendrën tregtare “Emisfero di Silea”. Ai ishte pjesë e bandës së grabitjes së shtëpive mes Trevizos dhe Bellunos dhe një nga të dyshuarit kryesorë të grabitjes së vilës së biznesmenit Giancarlo Miotto, në Mogliano Veneto.
I dënuar me 14 vjet burg për vrasje, grabitje dhe trafik droge nga drejtësia shqiptare, në vitin 2016, u arratis nga qelitë në Komisariatin e Krujës, duke kapërcyer murin rrethues.
Por më shumë se sa episodet e vjedhjeve në Itali dhe Shqipëri dhe implikimi në trafik droge, emri i tij lidhet me një nga atentatet me tritol të organizuar ndaj njerëzve të hetuar për vjedhjen e një mjeti që u përdor për vrasjen e kryekomisar Ditan Lamaj në vitin 2013.
Numri i telefonit që aktivizoi bombën me tritol në 19 shtator 2016 në automjetin e Gentjan Bejtjes i dëmtuar rëndë në atë kohë, e tradhtoi Elidon Pulën dhe bashkëpunëtorët e tij.
Krimet e renda e hetuan në atë kohë shënjestrën e atentatit të Pulës, Gentjan Bejtja, së bashku me Enver Stafukën, si hajdutët që siguruan makinën “BMW” prej nga ku u qëllua me breshëri Dritan Lamaj.
Për atentatin që synoi të asgjësonte një person që kishte dijeni për autorët e vrasjes së policit Lamaj, prokuroria mori nën hetim jo vetëm Edison Pulajn, por edhe Oltion Cacën, që të dy nën akuzë për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe shpërthim me eksploziv.
Ky hetim së bashku me vendimet e fajësisë është rekursuar në Gjykatën e Lartë, së bashku me episode të tjera për të cilat i arratisuri akuzohet në Shqipëri si vjedhje dhe drogë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.