Rend dhe Ligj

Arrestohet në Kolumbi ‘Kimisti’ i laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit (video)

Gazeta Si – Samir Rosales Rodriguez, i njohur si “kimisti”, është arrestuar në Kolumbi, i dyshuar si pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainë në banesën e ish-kreut të Komunës në Frakull të Fierit, Viktor Çervanakut.

Sipas mediave kolumbiane, thuhet se policia koordinoi veprimet së bashku me zyrat kombëtare të Interpolit në Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri.

Arrestimi, i kryer pas një njoftimi të kuq të Interpolit, nxjerr në pah shtrirjen transnacionale të operacioneve kriminale të lidhura me Kartelin e Ballkanit.

Sipas informacionit të dhënë nga drejtori i Policisë Kombëtare në llogarinë e tij në X, Rosales, me kombësi kolumbiane, ishte i specializuar në drejtimin e punëve teknike për nxjerrjen e kokainës në Evropë, duke përdorur metoda të destinuara për të fshehur substancën mes produkteve të ndryshme.

Grupi kriminal i laboratorit të kokainës në Frakull akuzohet për trafikimin e 485 kg lënde narkotike të fshehur në plehun kimik.

Në këtë grup kriminal ishte i përfshirë ish-kreu i komunës Frakull, Viktor Çervanaku (deri në 2021 i punësuar si drejtor pranë OST) si dhe familjarët, si i biri, i vëllai dhe e dashura e djalit të tij.

Laboratori i drogës u zbulua në nëntor të vitit 2022 gjatë një operacioni ku morën pjesë DEA, SPAK dhe policia malazeze.

Operacioni çoi në zbulimin e rreth 430 kg kokainë, të fshehur në 20 paleta me 24 ton pleh artificial, që janë porositur në Kolumbi nga Zenel Çervanaku dhe kanë zbarkuar fillimisht në portin e Tivarit, në Mal të Zi.

Droga u pikas fillimisht nga autoritetet malazeze me sinjalizim të DEA-s amerikane ndërsa për ekstraktimin e lëndës narkotike grupi kriminal kishte kontraktuar 2 kimist kolumbië.

Në 30 dhjetor 2024, Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lë lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, që dënoi me 90 vite burg grupin prej 10 personash të akuzuar për sasinë prej 485 kg kokainë në Frakull të Fierit.

Për vendimet e dhëna, është aplikuar për të gjithë të pandehurit ulja në masën e 1/3 së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Personat e dënuar

Viktor Cervanaku – 15 vite – 10 vite me gjykim të shkurtuar

Enxhi Ferhati –  12 vite – 8 vite me gjykim të shkurtuar

Klajdi Kodra – 17 vite – 11.4 vite me gjykim të shkurtuar

Bledar Matoshi – 12 vite – 8 vite me gjykim të shkurtuar

Denilson Çervanaku – 17 vite – 11.4 vite me gjykim të shkurtuar

Zenel Çervanaku –  14 vite – 9.4 vite me gjykim të shkurtuar

Redion Meshi – 14 vite – 9.4 vite me gjykim të shkurtuar

Julian Malaj – 3 vite – 2 vite me gjykim te shkurtuar për moskallëzim krimi, lirohet menjeherë

Marildo Rona – 12 vite – 8 vite me gjykim të shkurtuar


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë