Ngjarje

Arrestohet në Itali Agron Tufa, i dënuar me 30 vite burg për vrasjen e Kejsi Hysës për pazaret e drogës

Gazeta Si - Agron Tufa, i dënuar nga Gjykata e Krujës me 30 vjet burg në mungesë për vrasjen e Kejsi Hysës në vitin 2018, është arrestuar në Bari të Italisë.

Pas ekzekutimit, kufoma e Hysës u fsheh në afërsi të Niklës, ndërsa dyshohet se vrasja ndodhi për shkak të pazareve të kanabisit.

I dënuar me 30 vjet burg për “vrasje me dashje” dhe “armbëmbajtje pa leje”, Agron Tufa, në bashkëpunim me Hysni Ramën vranë me armë zjarri në Nikël, Kejsi Hysën dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.

Arrestimi i Tufës erdhi si rezultat i bashkëpunimit të dy policive asaj të Shtetit dhe policisë në Bari të Italisë, ndërsa Interpoli shqiptar ka nisur procedurat për ekstradimin e tij.

Kejsi Hysa

Në korrik 2018, familjarët e Kejsi Hysës, i cili njihej edhe si person që jepte para me fajde, kishte denoncuar zhdukjen e tij, duke hedhur dyshime se mund të ishte vrarë. Hysa, me origjinë nga Laçi i akuzuar për një vrasje në Sarandë në 2015-ën, i fshihej policisë.

Ai prej kohësh qëndronte në një  banesë në fshatin Nikël, por në datën 5 korrik ka dalë nga banesa dhe më pas nuk është rikthyer më.

Rezulton se ai është vrarë dhe më pas u gropos pranë varrezave të fshatit Nikël, në mënyrë që trupi i tij të mos zbulohej. Policia arriti të zbulojë trupin e Hysës falë sinjalit që kishte lëshuar telefoni i viktimës për herë të fundit.

Pas zbulimit të trupit të pajetë u arrestua një person i identifikuar si Hysni Rama. Ai pranoi pjesëmarrjen në krim dhe u dënua me 20 vite heqje lirie nga Gjykata e Krujës. Në kërkim gjatë gjithë këtyre viteve ishte Agron Tufa, për të cilin ishte dhënë dënimi me 30 vite heqje lirie.

Shkak për krimin, policia tha se u bënë konfliktet për prishjen e pazareve të drogës. Hysa ishte qëlluar me një plumb në kokë dhe më pas ishte groposuar pranë parcelës me kanabis. Për Tufën do të nisin tani procedurat e ekstradimit për të vuajtur dënimin në vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë