Ka ndodhur

Arrestohen tre punonjës policie në Vlorë dhe Ersekë

Dy punonjës të Komisariatit të Policisë së Vlorës, janë pezulluar nga detyra, ndërsa një tjetër në Ersekë është arrestuar, pasi u kap i dehur në timon.

Dy efektivët që akuzohen se kanë favorizuar kultivimin e narkotikëve, janë pezulluar nga detyra. Ata janë L.D., me detyrë N/Specialist (SPZ) për Rendin në Stacionin e Policisë Selenicë të Komisariatit të Policisë Vlorë; M.A., me detyrë Specialist për Rendin (SPZ) në Stacionin e Policisë Selenicë, të Komisariatit të Policisë Vlorë.

Ata janë në hetim për veprat penale të "Kultivimit të bimëve narkotike" dhe "Shpërdorimit të detyrës". SHÇBA ka bërë ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë e cila kishte caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues "Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" dhe "Ndalim i daljes jashtë shtetit".

Ndërkohë, këtë të enjte është arrestuar dhe një polic në Ersekë, pasi rreth orës 12:30, në datë 13.10.2021, në vendin e quajtur ish-Pazari në qytetin e Ersekës, duke drejtuar mjetin e tij është aksidentuar, duke u përplasur me murin rrethues të një banese.

Nga hetimet ka rezultuar se automjeti ishte pa dokumentacionin përkatës dhe targat i përkisnin një automjeti tjetër të çregjistruar. Po ashtu është konstatuar se polici ka qenë në gjendje të dehur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë