Rend dhe Ligj

Arrestohen në Britani 4 nga 6 vrasësit e Ardian Nikulajt, mes tyre dhe porositësi i dyshuar Edmond Haxhia

Gazeta Si - 4 nga 6 të kërkuarit që dyshohen për vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin, janë arrestuar nga policia në Britaninë e Madhe.

Mes të arrestuarve është edhe porositësi i dyshuar i atentatit, Edmond Haxhia, që sipas policisë e ka organizuar ekzekutimin për motive gjakmarrjeje.

Po ashtu, sipas burimeve paraprake, në pranga janë vënë edhe Thomas Mithan dhe Steven Hunt, të cilët dyshohet se kanë pasur rolin e vëzhguesve.

Të tre janë arrestuar në Londër nga një operacion i kryer nga Agjencia Kombëtare për Krimin (NCA). Pritet që të arrestuarit të ekstradohen në Tiranë sepse mes dy vendeve ka një marrëveshje që e lejon diçka të tillë.

Pasdite u njoftua edhe arrestimi i shtetases britanike Harriet Bridgeman, e cila ishte pjesë e grupit kriminal për ekzekutimin e Ardian Nikulajt në Shëngjin.

"Në vijim të punës kërkimore për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, shtetasja britanike H. B":," njoftoi policia.

Në kërkim ndërkombëtar janë portugezi Ruben Saraiva dhe nje britanik, të cilët kanë marrë pjesë në vrasjen e biznesmenit në lokalin e tij në Shëngjin.

Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan janë arrestuar në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.

Pasditen e të premtes, një gjykatës i gatshëm në Londër, i vlerësoi të ligjshme konform legjislacionit anglez urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga Prokuroria e Lezhës.

Edmond Haxhia u largua nga Shqipëria më 20 prill, një ditë pas vrasjes. Shqiptari, i cili mban edhe nënshtetësi britanike, është zbuluar nga hetimet që ka marrë me një makinë tip “Golf 5” Harriet Bridgeman dhe Thomas Mithan në Rinas, duke i zhvendosur në Shëngjin. Po në të njëjtin vend ka marrë edhe portugezin Ruben Saraiva.

Ndërkohë, britanikët dyshohen se në vrasjen e Nikulajt kanë pasur rolin e vëzhguesve të lëvizjes së viktimës.

Në lidhje me këtë ngjarje vijojnë të jenë në kërkim dy persona të tjerë. Bëhet fjalë për portugezin Ruben Saraiva, i cili dyshohet se është ekzekutori i Nikulajt dhe britaniku Harry Simpson. Policia ka deklaruar se vrasja ka ndodhur për motive gjakmarrjeje.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar pas lajmit të arrestimit të 3 personave të përfshirë në vrasjen e Ardian Nikulajt.

Çuçi shprehet se reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me policinë e shtetit. Ai shprehet se vijon puna intensive për të arrestuar 3 personat e tjerë në kërkim.

“Përgëzime Policisë së Shtetit dhe partnerëve tanë britanikë për lajmin e konfirmuar për arrestimin e 3 personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë në Shëngjin disa ditë më parë. Reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me Policinë e Shtetit dhe një punë e shkëlqyer hetimore e operacionale. Vijon puna intensive edhe për arrestimin e personave të tjerë në atë ekzekutim kriminal dhe vënien e tyre para drejtësisë”, shkruan ministri Çuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë