Ngjarje

Arrestohen 3 fermerë në Roskovec: U thirrëm nga ministri në takim, por na çuan në polici

15 fermerë të Myzeqesë të lajmëruar se do të vinte për takim Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi, ditën e djeshme (e premte) në fshatin Velmisht të Roskovecit, dolën për ta pritur me qëllim që të diskutonin shqetësimet e tyre të punës.

Këtë konfirmon edhe një prej fernerëve për gazetën “Si”, Gentian Ziu, i cili sëbashku me dy fermerët e tjerë prezent në takim Luli Çela dhe Bledar Metushi janë shoqëruar në Komisariatin e Fierit ku janë mbajtur për më shumë se 7 orë.

Gentian Ziu

“As vet s’e kuptova pse  më shoqëruan  në polici se as ofendova, as shava as gjuajta dhe as preka njeri me dorë.  Më mori në telefon polici dhe më tha; ku je të vij të të marr. Unë isha duke shitur domaten te pika e grumbullimit. Aty erdhi makina e policisë dhe më mori. Na mbajtën në komisiariatin e Fierit nga ora 2 deri ne 9 e 30 në darkë. Deklaruam që  as kemi sharë apo ofenduar ministrin. S’e kuptojmë arsyen e ndalimit nga policia. Na cuan ne gjyq  me akuzen e prishies se rendit publik gje qe e cila s'ka ndodhur nga ana jonë.  Ne ishim 15 veta dhe donim të takonim ministrin, ti shprehnim nga afër problemet tona  që ne realisht na shqetsojnë. Ai vetë tha se do vinte  dhe pastaj ktheu mendim;  nuk donte të na takonte”- thotë për “Si” Gentian Ziu fermer nga Kutallia. Ai bën me dije se të tre fermerët janë detyruar të zënë avokat sepse do të dalin në gjyq.

Sera e Gentian Ziu

Eduard Sharka, kreu i Sindikatës së Bashkuar të Fermerëve i cili ka qendruar gjatë gjithë kosës në derën e komisariatit në pritje që të dilnin fermerët, tregon për “Si” se fermerët nuk shkuan fshehurzai për ti zënë pritë ministrit Çuçi, por nga stafi i tij ishin lajmëruan anëtarë të sindikatës për takim me ministrin.

Eduard sharka

“Ata pranuan takimin sepse ishin fermerë që kanë humbur, kanë hedhur produktet në kosh për shkak të krizës së Covid-19. Por ministri pretendon se feremerët nuk janë dëmtuar fare nga kjo krizë dhe se bujqësia është në ditët e saj më të mira. Takimi u thirr nga ministri. Fermerët e pritën në vendin e takimit, ministri u vonua 1 orë. Kur doli, nuk donte ti takonte fermerët e të fliste me ta. I hipi makinës dhe iku dhe pastaj u shoqëruan tre fermerë, anëtarë të sindikatës në komisariat. Nuk dimë fare. Historia është e paqartë”.”- u shpreh z. Eduard Sharka.

Në mbështetje të fermerëve kanë qenë edhe sipërmarrës dhe veterinerë e gazetarë në pritje pranë komisariatit Fier.

Ervin Resuli

“Dje në fshatin Velmisht fermerët janë njoftuar se vjen ministri  dhe janë afruar ti shprehin shqetësimet , pasi nuk janë dëmshpërblyer nga dëmet e Covid-19,  pasi humbën tonelata kastravec! Në këtë moment meqenëse fermerët e fshatit nuk ishin militant partie dhe nuk i shërbenin propogandës dhe show-t të Ministrit, ka urdhëruar në mënyrë brutale të shperndajnë fermerët dhe të arrestohen 3 prej tyre; Gentian Ziu, Luli Çela, Bledar Metushi. Ata u mbajtën pa arsye në ambientet e komisariatit.Fier. Pasi panë që numri i fermerëve po rritej përpara Komisariatit.Fier, i lëshun 3 fermerët dhe i akuzuan për  “Mos respektim distance dhe Bllokim rruge”  ndërkohë që distanca nuk respektohej nga ministri qe kishte thirrur takimin dhe rrugen e fshatit  e kisht bllokuar ai.”- thotë veteriner Ervin Resuli për gazetën “Si”.

Kreu i sindikatës Eduard Sharaka ka pohuar se sindikata është e përgatitur që të nxjerrë të vërtetën dhe të tregojë që fermerët janë në vështirësi, po falimentojnë, po shesin nën kosto, është ulur tregu. Të gjitha qeveritë e botës ka dëshmuar ai, nxjerrin paketa speciale, vetëm në Shqipëri fermerët kanë pësuar dëme, “në vend që të quhen heronj, të duartrokiten, minimum që duhet të bëjë shoqëria sepse janë në vijën e parë, nuk po pyet kush nëse cënohen nga virusi apo jo. Fermerët ndalohen se i fton minstri në takim pastaj nuk do ti takojë, ndërron mendje.”

Reagimi I Ministrisë

Burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë me dije për gazetën “Si” se në kushtet e Covid-19 nuk mund të ketë takime as me fermerët dhe asnjë lloj grumbullimi tjetër.

“Ministria nuk ka bërë asnjë njoftim për të takuar fermerët në Roskovec. Ministri do të shkonte në një fermë në Kafaraj për të parë luleshtrydhet dhe në një fermë në një fshat në Roskovec ku ishin mbledhur disa fermerë, jo më shumë se 10 të tillë eksponentë të LSI dhe PD, fermerë të falimentuar për problemet e tyre. Pasi ministri iku, është krijuar hilaritet mes fermerit që Ministri Vizitoi dhe fermerëve të tjerë. Duke qenë se është rrugë nacionale, policia ka vërejtur dhe ka shoqëruar fermerët për prishje të qetësisë publike dhe thyerjes së rreguallave anticovid-19”- shprehet një burim pranë Ministrisë së Bujqësisë për gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë