Partia Socialiste është tërhequr nga nisma që detyronte prokurorinë të dorëzonte provat para Këshillit të Legjislacioneve dhe Mandateve në rastet kur kërkon autorizimin për arrestimin e një deputeti.
Drafti u prezantua për herë të parë nga Taulant Balla në janar të 2018, pak muaj pasi prokuroria kishte dorëzuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kërkesë kjo e rrëzuar prej tyre.
Tërheqjen nga nisma e njoftoi në mbledhjen e radhës të Komisionit të Ligjeve, kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja. Sipas deklaratës së Manjës, tërheqja nuk është përfundimtare, por një lëvizje taktike për të mos ndezur edhe më tej debatin politik.
Partia Demokratike e kundërshtoi këtë nismë kur nuk kishte djegur ende mandatet e saj. Opozita deklaronte se rregullorja e re ishte një rikthim i imunitetit të hequr nga Kushtetuta që në 2012 për deputetët, si dhe cenim të pavarësisë së punës së prokurorit me propozimin për të kërkuar provat së bashku me kërkesën për arrestimin e deputetëve.

Mazhoranca deklaronte se nuk bëhej fjalë për rikthim imuniteti, por si një nismë për të përshtatur rregulloren me Kushtetutën. “Ndryshimet e propozuara reflektojnë ndryshimet kushtetuese të bëra prej disa vitesh, ndryshimet kushtetuese të 2012, ato të 2016, ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo ka qenë një kërkesë e hershme, nëse Kuvendi do të respektojë rregulloren, apo Kushtetutën, si në rastin e deputetit Saimir Tahiri, ku nëse Këshilli i Mandateve do t’i referohej rregullores do të ishte gabim”, deklaronte Taulant Balla në janar të 2018.
Mes ndryshimeve të tjera, Komisioni i Ligjeve kaloi propozimin për shkurtimin e diskutimeve në 10 minuta për deputet gjatë seancave plenare. Deputetët e opozitës e kritikuan këtë ndryshim, duke akuzuar shumicën se po u heq të drejtën e fjalës. Por, PS u mbrojt duke thënë se me kohën është abuzuar nga ana e deputetëve, që dalin jashtë diskutimeve të ditës.
Ndryshimi tjetër që propozohet lidhet me kuorumin që një seancë plenare të cilësohet e vlefshme. Aktualisht kuorumi është 71 deputetë. Nëse janë më pak se ky numër, seanca nuk mund të mbahet. Socialistët propozojnë që ky numër të ulët në vetëm 15 deputetë.
Deputetët e rinj të dalë nga listat e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim parimisht janë dakord me deputetët e mazhorancës për nevojën e ndryshimit të rregullores, por ndahen me ta mbi draftin e propozuar.

Korab Lita është njëri prej deputetëve që hyri në Parlament pas djegies së mandateve në grup nga ana e Partisë Demokratike. Ai është pjesë e Grupit Parlamentar Demokrat dhe nënkryetar i Komisionit të Ligjeve.
Gazeta “Si” kontaktoi me deputetin për të mësuar se çfarë qëndrimi do të mbajë grupi parlamentar i demokratëve mbi propozimin e socialistëve, sidomos sa i takon nenit 118 të tij, ku projektvendimi i shumicës detyron prokurorët, që së bashku me kërkesën për arrestimin e një deputetit, të dorëzojnë edhe provat.
“Si grup Parlamentar Demokrat jemi kundër projektit, i cili ka filluar diskutimin, ndërsa qëndrimi im personal si N/Kryetar i Komisionit të Ligjeve në lidhje me nenin 118 është që jo vetëm që s’duhet miratuar, por unë mbështes variantin që imuniteti i deputetit s’duhet të ekzistojë fare. Deputetët duhet të jenë pa imunitet, të jenë përpara ligjit si të gjithë qytetarët”, deklaron Lita.
Sipas propozimit, nga i cili socialistët për momentin janë tërhequr, kërkesa e Prokurorisë për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg, ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, kontrollit personal, ose të banesës, i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga prokurori dhe kërkesa duhet të përmbajë një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën. Deri më tani, Prokuroria ka kërkuar arrestimin e deputetëve bazuar në indicie dhe dyshime të arsyeshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.