Politike

Arrestimi i Çilit, opozita: Kush është zyrtari i lartë i drejtësisë?

Opozita ka kërkuar transparencë sa i përket aksionit më të fundit të policisë ku në pranga ra dhe botuesi i njohur i medias shqiptare, Henri Çili. Sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata kërkoi që policia dhe organet e prokurorisë të informojnë opinionin publik se kush është emri i personit që identifikohet si drejtues i organeve të larta të drejtësisë, me të cilin pretendohet se Çili ka biseduar për lirimin e dy të akuzuarve Aliko të Lazaratit . “Përse u kryen ndalimet për se drejtuesi i lartë i organit të drejtësisë të kryente takimin e radhës në mars siç thuhet në dosje? Aktualisht në sistemin e drejtësisë janë 2 persona që kanë lidhje me Gjykatën e Lartë, ku do të shqyrtohet dosja për të cilën prokuroria pretendon se ka patur ndikim të paligjshëm. Ardian Dvorani është i vetmi anëtar funksional i Gjykatës së Lartë, kreu i KED-së dhe Sokol Sadushi, kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i të cilit pritet të ndodhë ne muajin Mars. Sot është koha që prokuroria të zbulojë identitetin e funksionarit të lartë të drejtësisë”, theksoi Gjata në konferencën për shtyp.

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata. Gazeta Si, shkurt 2020


Për aksionin më të fundit të policisë reagoi edhe numri dy i LSI-së, Petrit Vasili, i cili me anë të një postimi në Facebook shkruan se “horrat e qeverisë nuk arrestohen, ndërsa Henri Çili po”. “Kur Edi Rama, Gjiknuri e deputetët e dalin sheshit në përgjimet e prokurorisë që kryejnë krimin e blerjes votave me furgonë të mbushur me horra nuk arrestohen. Kur Etilda Gjonaj bashkë me bandën e ministrisë se Drejtësisë falsifikojnë e mashtrojnë për të rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese, duke konsumuar vepra penale pa fund nuk arrestohen. Kur del nga përgjimet e prokurorisë Vangjush Dako që bëhet njësh me kriminelë nuk arrestohet. Kur del sheshit korrupsioni i ministrave tek Unaza e re që shkon deri në Amerike nuk arrestohen. Kur falsifikon e mashtron Dvorani për të rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese nuk arrestohet. Arrestohet Henri Çili se nuk duhet të arrestohen kurrsesi këta. Në 2 mars të gjithë në bulevard për drejtësinë e barabartë për të gjithë”, shkruan Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë