Arredim

Arredimi i shtëpive / Si kanë evoluar shqiptarët, tendencat bashkëkohore që po përhapen në masë

Nga Gazeta 'Si'- "Në arredimin e shtëpisë sime të re kam përdorur mozaikë, tendenca e fundit e interior design. Me arkitektin tim konsultohem për çdo prurje të re dhe më pëlqen të ec me të rejat, por që padyshim kushtojnë."

Merini, 49-vjeç baba i dy fëmijëve, i përket një brezi që fëmijërinë dhe rininë e jetoi në dy sistemet, regjimi komunist dhe sistemi i demokracisë. Por ai thotë se gjithmonë në shtëpinë e tij preferohej që gjërat të mos ishin kopje e modeleve që shiheshin rëndom në shtëpitë e tjera.

Kjo ndjesi duket se e ka ndjekur dhe atë që në shtëpinë e tij dëshiron të ndërthurë tendencat e reja, duke ja përshtatur dhe stilit të tij.

“Mozaiku nuk shkon kudo e për këdo. Mendoj se secili duhet të gjejë veten në stilin që kërkon të ndërtojë arredimin e brendshëm. Kjo të bën unik ndër të tjerë”, thotë Anila Hetoja, interior design dhe piktore njëkohësisht.

Anila thotë se në punën e saj gjithnjë e më shumë po sheh se stili modern po përhapet me shpejtësi, çka ka bërë që shtëpitë e shqiptarëve të arredohen me elegancë e klas, duke mos bërë diferencë me të huajt.

“Kërkesat që më vijnë nga klientët janë për ndërthurje të stilit modern me urban, klasiku gjithnjë e më shumë po vjen e rrallohet. Ndoshta se kushton, apo se stili modern është më i përshtatshëm për cdo njeri e statusin e tij shoqëror, pavarësisht moshës”, thotë Anila.

Materialet e preferuara, dru e metal

Evolimi i arredimit të shtëpive në vendin tonë është në rritje dhe këtë e tregojnë më së miri kërkesat e shumta për punishtet e zdrukthtarive, mobilerive dhe sallonet ku tregtohen produkte të nevojshme për arredimin e shtëpive.

Nëse dikur këto kërkesa plotësoheshin nga importi ku tregjet e mëdha ofronin mallra standard si mobilje apo divanë e kolltuqe, sot secili që dëshiron të ketë stilin e tij, e konsulton me arkitektin e më pas me ustain, zdrukthtarin,

“Produktet e bëra me porosi tek mobileritë janë të shumta, cdo vit shtohen kërkesat për të arreduar shtëpinë në këtë formë. Kjo ka ardhur dhe si pasojë e përqafimit të trendeve të reja që kanë hyrë në vendin tonë. Tani askush nuk ble direkt një divan apo kolltuk, por sipas përmasave dhe stilit të brendshëm të shtëpisë, ai e porosit atë në përmasat që dëshiron, ngjyrën e duhur dhe modelin që i përshtatet stilit të aplikuar në apartamentin e tij. Kjo shije po kultivohet gjithnjë e më shumë”, thotë Altini që ka hapur prej 15 vitesh një punishte të madhe mobilerie dhe shet materiale gjithashtu edhe për punishtet e vogla.

Metali është ndër komponentët që po i shtohet arredimit të shtëpive. Stili urban po preferohet sidomos nga çiftet e reja.

“Përveç drurit e metalit, në ambientet e brendshme edhe pikturat janë një komponent i rëndësishëm. Sikurse dhe me mobiljet që sot rëndom kryhen me porosi, edhe pikturat po preferohen të jenë të personalizuara, të kryhen me porosi dhe të mos blihen në dyqane. Kjo është një risi e trend dhe në botën moderne dhe shqiptarët nuk bëjnë diferencë”, thotë piktorja Anila Hetoja.

Sipas saj, gjithcka duhet të bëhet në harmoni me ngjyrat e përdorura në arredim dhe sot ky stil është mjaft i përhapur.

“Më pëlqen të shoh shtëpi të arreduara me shije. Sa vjen dhe po i largohemi masës, secili po kërkon të gjejë stilin e tij, njësoj si me veshjet. Jemi duke punuar mbi këtë frymë dhe më pëlqen që tashmë pas 32 vitesh demokraci, kjo është e mundur për shumicën e shoqërisë. Sepse dhe me pak kosto, stili unik krijohet nëse do të bazohesh në elementet që të përshtaten dhe që të përfaqësojnë stilin tënd personal. Nuk gjej më kërkesa të tipit “e dua si ai, apo e dua si ajo”, thotë Hetoja.

Festat, një arsye më shumë për të shijuar ngjyrat

Sipas Anila Hetosë, në fushën e arredimit të brendshëm, trendet ndryshojnë me ndërrimin e stinëve si dhe të viteve. Ajo thotë se një nga tendencat për vitin 2023-2024, që po i qëndron kohës është stili minimalist me ngjyra të ngrohta, ky stil balancon në mënyrë të përkryer thjeshtësinë, funksionalitetin, komoditetin.

“Ngjyrat gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në arredimin e brendshëm, vlen për t'u përmendur, ngjyrat portokalli, blu, rozë në lejla, këto ngjyra janë shumë të guximshme, të gjalla, moderne të çuditshme të cilat me një balancim mes aksesorëve mund ta bëjnë ambjentin tuaj, relaks, trend të gëzuar dhe ku të ndjeheni çdo ditë si një festë”, thotë piktorja Anila Hetoja.

Mobilimi i një shtëpie në periudhën e komunizimit, gjatë festave të fundvitit

Shtëpi në qytet, shtëpi mali apo deti, falë teknologjisë arredimi ka arritur në nivelet më të larta. Hetoja thotë se synimi tani nuk është salloni pritjes por vëmendja po kalon te dhomat e gjumit.

“Ka kërkesa për oxhak në dhoma gjumi, në këtë rast po flas për shtëpi të dyta në zona malore që një shtresë e caktuar ka mundësi ta blejë”, thotë interior design e njëkohësisht piktore Anila Hetoja.

Sipas saj, oxhakët klasikë por dhe ata modern gjenden lehtësisht sot në tregjet tona dhe të rajonit. Ndërsa oxhaku modern përshtatet më lehtë në stilin modern, ai klasik ka specifikat e veta që jo të gjithë i kanë mundësitë ta aplikojnë.

Gjithsesi, me pak kosto mund të realizohet stili që duam. Bota e internetit ofron modele pa fund ku secili gjen veten. Është epoka e re e teknologjisë dhe të gjithë po vrapojmë të mos mbetemi pas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë