Rreth tre muaj përpara arratisjes së ish-auto-titanit Carlos Ghosn javën e kaluar nga Japonia në Liban, sipas një personi të njohur nga afër me çështjen, një agjent që planifikonte për të ndihmuar largimin e tij, vizitoi Aeroportin Ndërkombëtar Kansai në Osaka, Japoni dhe kuptoi se ekzistonte një vrimë e madhe sigurie.
Terminali për avionët privatë ishte më i qetë dhe i zbrazët krahasimisht me të ngjashmit e tij në shumicën e aeroporteve të tjera, derisa do të shfaqej ndonjë avion për fluturim, u shpreh personi në dijeni të çështjes. Për më tepër, bagazhet tepër të mëdha ishin të pamundura për t'u përshtatur me skanuesit e aeroportit.
Vrima e sigurisë ishte vendimtare për arratisjen e denjë si nëpër filma të zotit Ghosn nga Japonia, teksa ai akuzohej për krime financiare. Ai do ti mohonte ato akuza dhe do të thoshte se do t'i luftonte në gjykatë.
Arratisja përfshinte një rrugëtim prej 300 milje në të gjithë Japoninë, nga shtëpia në Tokio e z. Ghson e monitoruar prej gjykatës deri në aeroportin e Osaka. Ai më pas u fsheh brenda një kutie të madhe të zezë, e përdorur përgjithësisht për pajisje koncerti, me vrima për frymëmarrje të shpuara në fund të kutisë, për tu transportuar në një avion privat.
Plani e shpuri Z. Ghosn nëpër Turqi, ku ai do të detyrohej të ndryshonte aeroplanin për shkak të një stuhie të fortë dhe do ti drejtohej Libanit, nga ku ka marrë edhe nënshtetësinë. Libani nuk i ekstradon qytetarët e tij.
Në bordin e avionit në Osaka ishin dy operativë të sigurisë amerikane. Njëri syresh, Michael L. Taylor, një ish-Green Beret me një histori të shpëtimit të pengjeve.
Ata të cilët e njohin Ghosn, thanë që ai vendosi përfundimisht për të zbatuar planin e largimit vetëm në fund të muajit të kaluar, pasi sinjalet për gjyqin e tij tregonin se do të vazhdonte për vite me radhë, dhe pas refuzimit të gjykatës që ai të kishte kontakte me gruan e tij gjatë pushimeve.
Por puna mbi një plan të mundshëm të detajuar për të arratisur z. Ghosn filloi muaj më parë, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje. Planifikimi përfshinte një ekip mes 10 - 15 njerëzish të kombësive të ndryshme, tha njëri prej këtyre njerëzve.
Ekipi ndërmori më shumë se 20 udhëtime në Japoni dhe vizitoi të paktën 10 aeroporte japoneze para se të zgjidhte aeroportin Osaka si një lidhje të dobët, tha ky person.
Një zëdhënës i operatorit të aeroportit tha se siguria e tij nuk ndryshon nga aeroportet e tjera në Japoni. Ai tha se të gjitha bagazhet shumë të mëdha për skanimin me rreze X supozohet të hapen nga stafi i sigurisë, por një ekspert i sigurisë së aeroportit tha se ata nuk e kryejnë këtë proces, veçanërisht për udhëtarët me avionë privatë pasi konsiderohen si me rrezik më të ulët për terrorizmin.
Në dallim nga SHBA-të, ku siguria menaxhohet nga qeveria, në Japoni linjat ajrore janë përgjegjëse për sigurinë dhe përdorin kompani private të sigurisë, tha eksperti.
Zyrtarët japonezë thanë që një hetim kishte marrë udhë për të përcaktuar se si u arratis Z. Ghosn. Gjatë fundjavës, ministri japonez i drejtësisë tha se kontrollet e nisjes do të forcohen.
Z. Ghosn do të thoshte më herët se ai e përgatiti vetë udhëtimin në Liban, pa ndihmën e familjes së tij.
Arrestuar në Nëntor 2018 nën akuzën për krime financiare të lidhura me kohën kur drejtonte Nissan Motor Co., Z. Ghosn kaloi muaj në një qeli të vogël në Tokio duke iu nënshtruar marrjeve në pyetje në mënyrë të rregullt nga prokurorët pa një avokat të pranishëm.
Që kur u la në liri me kusht për herë të dytë në prill, ai ka pasur kufizime të ashpra për të takuar bashkëshorten dhe është ankuar hidhur për një sistem të drejtësisë japoneze që ai mendonte se ishte bërë kundër tij. Zyrtarët japonezë mbrojtën sistemin e tyre dhe thanë që ai do të merrte një gjykim të drejtë.
Plani i arratisjes do të kushtonte miliona dollarë, sipas personit të njohur me çështjen. Në misione të ngjashme shpëtimi, ekipi i shpëtimit zakonisht paguhet për shpenzimet dhe më pas një shpërblim i madh e ka radhën pas përfundimit me sukses të misionit, thanë profesionistët e sigurisë.
Gjatë fluturimit në avionin privat nga Osaka ishte Xhorxh Zayek, një qytetar amerikan i lindur në Liban, i cili më parë ka punuar me kompaninë e sigurimit të zotit Taylor në Boston.
Z. Zayek është vëllai i Elias Zayek, një nga themeluesit e milicisë së Forcave Libaneze. Elias Zayek u vra në 1990 disa muaj para përfundimit të luftës civile në Liban. Xhorxh Zayek, sipas disa të afërmve në Liban, u plagos në luftimet në Liban në vitet 1970, duke mbetur invalid.
Ai u nis për në SHBA në fillim të viteve 1980, po sipas të afërmve, dhe kur vëllai i tij u vra, ai kaloi më shumë kohë atje, duke u bërë përfundimisht një qytetar amerikan. Ai ka punuar në sigurinë private me forcat amerikane në Afganistan dhe Irak, thanë të njëjët persona.
Kompania e sigurisë me bazë në Boston ku punonte z. Taylor, u huazua nga Neë York Times për të ndihmuar reporterin David Rohde nga pengmarrja e talibanëve në Afganistan në 2009.
Z. Taylor kohët e fundit u ka thënë miqve se e kupton gjendjen e zotit Ghosn pas përvojës së tij me sistemin e drejtësisë penale të SHBA që rezultoi me burg.
Z. Taylor u akuzua në vitin 2012 për dy çështje penale të lidhura me një hetim federal të manipulimit të ofertave për 54 milion dollarë në kontratat e Departamentit të Mbrojtjes. Ai kundërshtoi akuzat dhe kaloi 14 muaj në një burg lokal të Utah nën ato që ai i konsideronte si kushte të vështira ndërsa priste gjyqin. Ai përfundimisht u deklarua fajtor për të dy akuzat dhe kaloi gjithsej 19 muaj pas hekurave.
Z. Taylor ka punuar gjithashtu me Byronë Federale të Hetimit dhe Departamentin e Shtetit për të shpëtuar viktimat e rrëmbimit jashtë shtetit, dhe në fund të viteve 1980 ka punuar katër vjet nën fshehtësi duke ndihmuar qeverinë amerikane në një hetim për drogën dhe pastrimin e parave, sipas një memoje të avokatit të tij.
Ai ka lidhje të forta me Libanin. Ai u vendos atje si pjesë e “Beretave të Gjelbërta” në fillim të viteve 1980, ku u takua me gruan e tij, dhe si kontraktor privat më vonë trajnoi milicitë kristiane Libaneze, thotë memoja e dënimit. Ai flet arabisht.
Në vitin 2012, Z. Taylor ishte në Liban duke punuar për një rast të klasifikuar me “Drug Enforcement Administration” në SHBA-ve kur u padit. Ai fluturoi përsëri për në SHBA dhe u arrestua me të mbërritur në Utah, ku çështja u procedua.
"Zoti. Taylor ishte lojtari kryesor dhe lidhja kritike në një nga operacionet më të rëndësishme të DEA-s në histori, ”shkroi avokati i tij në një memo të mëvonshme. Gjithçka përveç atij operacioni ishin shkruar në atë memo.
Kush është Carlos Ghosn?…
Carlos Ghosn është një biznesmen francez, lindur në Brazil dhe me prejardhje libaneze. Aktualisht është një i arratisur i kërkuar ndërkombëtarisht.
Ghosn ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Michelin në Amerikën e Veriut, CEO i Renault, kreu i AvtoVAZ, kryetar dhe CEO i Nissan, dhe kreu i Mitsubishi Motors.
Ghosn ishte gjithashtu president dhe CEO i Aleancës Renault-Nissan-Mitsubishi, ku kishte një rol kryesor në partneritetin strategjik midis prodhuesve të automjeteve përmes një marrëveshjeje komplekse të aksioneve. Sipërmarrja ka mbajtur një pjesë të tregut afërsisht 10% që nga viti 2010, dhe që nga viti 2017 u llogarit të jetë grupi më i madh i automjeteve në të gjithë botën.
Në vitin 1996, CEO i Renault Louis Schëeitzer punësoi Ghosn si zëvendësin e tij dhe e ngarkoi atë për të nxjerrë kompaninë nga falimentimi i sigurt. Ghosn hartoi një plan për të ulur kostot për periudhën 1998-2000, duke zvogëluar fuqinë punëtore, duke rishikuar proceset e prodhimit, standardizimin e pjesëve të automjeteve dhe duke nxitur modelet e reja. Kompania ndërmori gjithashtu ndryshime organizative, duke prezantuar një sistem prodhimi të ri me përgjegjësi të delegatëve të frymëzuar nga sistemet japoneze, duke reformuar metodat e punës dhe duke centralizuar kërkimin dhe zhvillimin në Technocentre për të zvogëluar kostot e konceptimit të automjeteve.
Ghosn u bë i njohur si "Le Cost Killer". Në fillim të viteve 2000, për orkestrimin e një prej fushatave më agresive të zvogëlimit të industrisë së automjeteve dhe drejtimin e kthesës së Nissan nga falimentimi i saj i afërt në 1999, ai fitoi pseudonimin "Mr. Fix It".
Pas kthesës financiare të Nissan, në 2002 Fortune do ti akordonte atij titullin Biznesmeni Aziatik i Vitit.
Në vitin 2003 po Fortune do ta identifikonte atë si një nga 10 njerëzit më të fuqishëm në biznes jashtë SHBA-ve, dhe edicioni aziatik e votoi atë “Man of the Year”, “Njeriu i vitit”.
Sondazhet e publikuara bashkërisht nga Financial Times dhe PricewaterhouseCoopers e cilësuan atë si udhëheqësin e katërt më të respektuar të biznesit në 2003, dhe udhëheqësin e tretë më të respektuar të biznesit në 2004 dhe 2005.
Ai shpejt arriti statusin e të famshëmve në Japoni dhe në botën e biznesit, e jeta e tij ishte publikuar në mediet japoneze.
Ghosn u tërhoq si CEO i Nissan më 1 Prill 2017, ndërsa mbeti kryetar i kompanisë.
Ai u arrestua në Aeroportin Haneda në 19 nëntor 2018, me akuzat për mosraportim të fitimeve të tij dhe keqpërdorimit të pasurive të kompanisë.
Më 22 nëntor 2018, bordi i Nissan mori një vendim unanim për të shkarkuar Ghosn si kryetar të Nissan.
Ai u pasua nga bordi i Mitsubishi Motors më 26 nëntor 2018.
Renault dhe qeveria franceze vazhduan ta mbështesin atë në fillim, duke e konsideruar atë të pafajshëm derisa të provohej fajtor.
Mandej ata e vlerësuan situatën si të paparueshme dhe Ghosn u detyrua të tërhiqej sikreu dhe CEO i Renault më 24 Janar 2019.
Ndërsa ishte në liri me kusht në fillim të marsit, Ghosn u riarrestua në Tokio në 4 Prill 2019 për akuza të reja për shpërdorime të fondeve të Nissan.
Më 8 Prill 2019 aksionarët e Nissan votuan për të hequr Ghosn nga bordi i kompanisë. Ai u lirua përsëri me kusht në 25 Prill.
Në qershor Renault zbuloi 11 milion euro shpenzime të diskutueshme prej tij, duke e çuar ccështjen në hetim nga gjykatat franceze.
Ghosn më vonë u largua nga Japonia në Liban më 30 dhjetor, duke shkelur kriteret e lirimit me kusht.
Më 2 janar të vitit 2020, Interpol lëshoi një njoftim të kuq (urgjent) për në Liban që kërkonte arrestimin e Ghosn./S.V/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.