Nga Gazeta Si- Edhe pse u tha nga kryeministri Edi Rama u tha se Oficerët e sigurisë do mbrojnë fëmijët si dhe do jenë sytë dhe veshi i prindërve, realiteti është totalisht i ndryshëm. Siguria në shkolla përgjatë periudhës shtator 2021- dhjetor 2024 ka rezultuar një process jo efektiv, si rezultat i mangësive të kuadrit ligjor, mos ushtrimit si duhet i rolit të oficerëve të policiësë si dhe mungesës së monitorimit të tyre.
Në këtë përfundim ka arritur Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditimi të kryer në disa shkolla.
Në pesë shkollat (Shkolla e Bashkuar Zejmen – Lezhë, Shkolla e Mesme të Bashkuar Gosë – Rrogozhinë, Shkolla 9 vjeçare “Fan Noli” – Tiranë, Gjimnazi “Eqrem Çabej” – Tiranë, Gjimnazi “Arben Broci” – Tiranë) ku u intervistuan Oficerët e sigurisë dhe drejtorët e shkollave, u shtrua pyetja, se: “Sa kontrolle fizike janë zhvilluar nga OS- të gjatë periudhës objekt auditimi?”.
Referuar përgjigjeve të dhëna dhe këqyrjes së dokumenteve të dosjeve të OS- ve, u konstatua,se kontrolli fizik i nxënësve dhe ai mjedisor, për të evidentuar raste armëmbajtjeje, posedim lëndësh narkotike, apo pijeve alkoolike, përjashtuar gjimnazi “Arben Broci”, nuk ishte zhvilluar kurrë gjatë gjithë këtyre viteve, në këto shkolla.
Përjashtim bëjnë vetëm dy kontrolle në këtë gjimnaz.
Arsyet dhe justifikimet e dhëna nga OS gjatë intervistave për moszhvillimin e kontrolleve fizike ishin të ndryshme.
“Mundohem t’a shmang kontrollin fizik, që të evitoj konfliktin me prindërit, meqë e cilësojnë si etiketim të fëmijës. Nuk kemi bërë asnjë kontroll fizik” u shpreh oficeri i sigurisë të Gjimnazit “E. Ç.”.
Në Urdhrin91 nr. 31, datë 28.1.2020, është përcaktuar detyrimi që oficerët e sigurisë duhet të zhvillojnë kontrolle fizike të nxënësve ose të mjediseve.
Me përjashtim të dy rasteve, të regjistruara në 2023 dhe 2024, në shkollat e tjera, nuk është ushtruar asnjë kontroll fizik ndaj nxënësve dhe asnjë kontroll i mjediseve të shkollave.
Oficerët e sigurisë i shmangin kontrollet, për të shmangur konfliktin me prindërit, të cilët e konsiderojnë kontrollin si një akt që etiketon fëmijët.
KLSH shkruan se mungesa e kontrolleve shton rrezikun e qarkullimit dhe mbajtjes së mjeteve dhe lëndëve, që cenojnë sigurinë në shkolla.
Gjithashtu, udhëzuesi për praktikën e punës së OS përcakton se raporti i incidenteve/probkematikave i dërgohet policisë por, nisur nga kontratimet e KLSH, oficerët e sigurisë vetëcensurohen, nga presioni i drejtuesve të shkollave.
Gjithashtu, ato lënë me vetëdije të pazbatuara detyrime të parashikuara qartë në akte nënligjore, si ai i kontrolleve fizike të nxënësve, për të shmangur konflikte me prindërit, në raste të caktuara e shohin me skepticizëm bashkëpunimin me policinë dhe në raste të caktuara vuajnë nga një formim profesional i mangët
Mos mbulimi i të gjitha shkollave me oficerë sigurie ka cënuar gjithashtu sigurinë në shkolla si dhe koordinimi dhe bashkëpunimi midis Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar dhe Akademisë së Sigurisë, nuk është në nivele të duhura.
Oficerët e sigurisë në shkolla nuk monitorohen, as nga drejtuesit e IAP-ve dhe, as nga strukturat përkatëse të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale dhe Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar.
Paraprakisht, shkruhet në auditim, vlen të nënvizohet se nuk ka të dhëna të plota lidhur me numrin e rasteve/incidenteve të administruara në shkollat shqiptare nga oficerët e sigurisë dhe arsyet janë nga më të ndryshmet.
– Ka mungesë mbledhjeje dhe përpunimi të dhënash, nga institucionet e arsimit, sikurse ka dhe mbledhje të dhënash të pabazuar në ligj.
– Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar, marrin nga shkollat ku shërbejnë OS-të, referime rastesh/incidentesh, raporte javore apo dhe vjetore të tyre, por këto të dhëna nuk i përpunojnë, analizojnë, apo përcjellin në hallkat eprore të zinxhirit organizativ.
– Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar – AKAP, institucion në varësi të MAS, e cila e ka detyrë të saj, “të organizojë punën për menaxhimin, ndjekjen dhe kontrollin e institucioneve të sistemit arsimor parauniversitar”, nuk merr dhe nuk përpunon asgjë nga kjo masë të dhënash.
– Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk janë të plota.
Nga raportimet e OS, rezulton se problematika më e shpeshtë, është ajo e dhunës fizike, me 892 raste të referuara. Dhuna psikologjike/verbale radhitet e dyta, me 333 raste në këto vite. E treta, ndër problematikat më shqetësuese, me të cilat ballafaqohet siguria në shkolla, është bullizmi, e cila është raportuar 186 herë, në të njëjtën periudhë.
Por, po t’u referohemi të dhënave të Pyetësorit të grupit të auditimit, i cili iu drejtua vetëm 227 nxënësve, u konstatua se armët e ftohta janë vërejtur një apo dy herë gjatë vitit, nga 36 nxënës apo 15,8 % e tyre.
Këtu kuptojmë se sa të mangëta janë të dhënat e referuara nga oficerët e sigurisë, sipas të cilave, në vitin 2022- 2023, me numrin më të lartë të referimit të rasteve të këtij lloji, rezulton të ketë pasur vetëm 16 raste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



