Media Galeri

Arkitektura që ndryshoi qytetet europiane

Në vitet 1930, Joze Plecnik i Sllovenisë krijoi një arkitekturë unike krejtësisht të ndryshme nga stili mbizotërues i kohës dhe ndryshoi mënyrën se si ne mendojmë për qytetet.

Pasi kryeqyteti i Sllovenisë, Lubjana, u shkatërrua nga një tërmet në 1895, një arkitekt novator e riimagjinoi qytetin në një mënyrë që jo vetëm e përmirësoi atë, por vendosi një standard për qytetet e tjera europiane.

Arkitekti slloven Joze Plecnik kishte punuar tashmë me projektues të shquar të epokës në Vjenë dhe Pragë përpara se të kthehej në shtëpi për të rindërtuar kryeqytetin në vitet 1930. Plani i tij u frymëzua nga Athina e lashtë. Ai madje e quajti atë "Akropoli Slloven". Historiani i artit Peter Krecicv shpjegoi se dizajni i Plecnik kishte analogji të drejtpërdrejta me Athinën e lashtë: Kalaja e Lubjanës ishte akropoli; varrezat e Zhales ishin nekropoli; Sheshi i Kongresit ishte agora, ose vend grumbullimi; dhe tregu i Lubjanës përfshinte stoa (një portik i mbuluar).

Por Plecnik nuk u ndal me kaq. Megjithëse Modernizmi dhe Funksionalizmi ishin të njohura në atë kohë, ai donte diçka ndryshe.

"Të dy stilet plotësonin funksionet ose nevojat bazë, por nuk kishin komponentin shpirtëror që kërkonte Plecnik", tha Ana Porok, drejtore e Muzeut të Shtëpisë Plecnik. Pra, i frymëzuar nga kulturat antike dhe nga arti barok dhe i rilindjes, Plecnik krijoi një arkitekturë unike krejtësisht të ndryshme nga stili mbizotërues i kohës.

"Plecnik riorganizoi elementet klasike, si kolonat, harqet dhe kurora. Këto ishin praktikisht të ndaluara”, tha Krecicv.

"Megjithatë, Plecnik i përdor ato si bazë të gjuhës së tij vizuale moderne".

Plecnik mori gjithashtu vendimin progresiv për të mbyllur qendrën e qytetit ndaj trafikut, diçka që qytetet e tjera europiane nuk do ta bënin për dekada. Në vend të kësaj, ai vuri këmbësorët dhe hapësirat publike në radhë të parë, duke krijuar një shëtitore për të ecur nëpër qytet (e cila kaloi pranë disa prej modeleve të tij të tjera të njohura, duke përfshirë Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare Sllovene) dhe përgjatë lumit Ljubljanica, si dhe shumë sheshe, parqe dhe ura.

"E veçanta e qytetit është në qasjen humaniste ndaj dizajnit të tij: hapësira të hapura, rrugë, parqe dhe aranzhime të krijuara për të gjithë njerëzit dhe sigurisht arkitektura e përjetshme e Plecnikut, e cila nuk mund të gjendet askund tjetër", tha Porok.

Vizioni i Plecnikut e transformoi Lubjanën dhe e bëri atë një shembull kryesor sesi stilet klasike dhe moderne mund të kombinoheshin për t'u shërbyer njerëzve që jetonin atje. Në korrik 2021, UNESCO e njohu arritjen e tij dhe i regjistroi veprat e tij në Lubjanë dhe "dizajnin e tij me në qendër njeriun" në Listën e Trashëgimisë Botërore. "Ajo që bie në sy nuk është një ndërtesë e veçantë, por lidhja e arkitekturës së tij me jetën e qytetit", tha Krecicv.

"Ky koncept duhet të na frymëzojë kur projektojmë qytetet sot", u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë