Gazeta Si – Argjentina kaloi në çerekfinalen e Botërorit pas një ndeshjeje dramatike dhe mes polemikave ndaj Egjiptit, duke gjetur Zvicrën në raundin e ardhshëm.
Deri në minutën e 79, bardhekaltërit ishin në disavantazh 0-2, pasi Ibrahim në minutën e 15-të dhe Ziko në minutën e 67-të, kishin shënuar dy gola për Egjiptin, që deri në atë moment kishte treguar një nivel më të lartë se Messi me shokë.
Për t’u përmendur, një gol tjetër i Zikos në minutën e 58-të, pas një aksioni model të egjiptianëve, por që u anulua pas rishikimit në VAR për një faull të ndodhur në anën tjetër të fushës.
Nga minuta e 79-të nisi përmbysja e kampionëve të botës në fuqi. Fillimisht, Romero shënoi me kokë pas një krosimi të Messit.
Në minutën e 83-të ishte vetëm Messi, i cili barazoi rezultatin, ndërkohë që në minutën e dytë shtesë, Enzo Fernandez realizoi golin e tretë dhe të fitores për Argjentinën.
Në fund të ndeshjes, egjiptianët akuzuan gjyqtarin dhe FIFA-n, duke u shprehur se ishte një ndeshje e trukuar.

Ndërkohë, Zvicra është çerekfinalistja e fundit pas fitores me penallti përballë Kolumbisë, duke u kthyer mes tetë më të mirave të botës për herë të parë që nga viti 1954, ndërsa Kolumbia humbet mundësinë për një përballje të re me Argjentinën.
Zviceranët triumfuan nga pika e bardhë e penalltive (4-3) dhe siguruan kalimin në çerekfinale pas një ndeshjeje të ekuilibruar, por pa shumë shkëlqim, ku Ruben Vargas mposhti Camilo Vargasin në goditjen vendimtare.
Me kualifikimin e Argjentinës dhe Zvicra në ndeshjet e fundit janë kompletuar edhe katër sfidat çerekfinale të Botërorit 2026.
E para që do të luhet është supersfida Francë-Marok më 9 korrik në orën 22:00.
Fituesi i kësaj përballjeje do të ndeshet në gjysmëfinale me fituesin e Spanjë-Belgjikë, e cila do të luhet një ditë më pas në orën 21:00.
Në krahun tjetër, Norvegjia dhe Anglia masin forcat në Miami, në orën 23:00, ndërsa disa orë më vonë, në 03:00 të mëngjesit të së dielës, Argjentina ndeshet me Zvicrën.
Ndërkohë takimet gjysmëfinale do të luhen më 14 dhe 15 korrik, ndërsa më 18 korrik do të luhet sfida për vendin e 3-të dhe të 4-të, për t’i lënë vend një ditë më pas finales së madhe të Nju Jorkut, më 19 korrik, ora 21:00.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje