Drejtësia

Arbitrazhi, Valeria Srl do të kërkojë nga Shqipëria fitimin e munguar për 20 vite

Firma ligjore Saccucci & Partners, e cilla po mbron kompaninë italiane Valeri srl në padinë ligjore të ngritur kundër shtetit shqiptar në Arbitrazin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara konfirmon përmes një njoftimi se kjo gjykatë ka vendosur ta marrë në shqyrtim kërkesën e saj, duke rrëzuar përfundimisht mundësitë e një marrëveshjeje mes dy palëve.

Në shkurt të këtij viti, gjatë diskutimeve në lidhje me faturat e majme të proceseve gjyqësore ndërkombëtare ndaj Shqipërisë, Ministria e Financave deklaronte se në këtë proces shuma e paguar deri më tani nga shteti shqiptar ishte rreth 800 mijë dollarë.

Shifra është argumentuar si shpenzime proceduriale për mbrojtjen në këtë padi, ku siç kuptohet nga njoftimi i zyrës ligjore Saccucci&Partners, Shqipëria është paraqitur me pretendimin se arbitrazhi i OKB-së nuk ka juridiksion në lidhje me këtë çështje.

Ministria e Financave deklaronte gjithashtu se Ministria e Bujqësisë ishte drejt arritjes së marrëveshje me kompaninë italiane Valeria Srl dhe nuk parashikonte kosto të mëtejshme në këtë proces, përveç atyre që mund të paguheshin nga marrëveshja e mundshme.

Por, me sa duket marrëveshja ka dështuar përfundimisht dhe në rast se gjykata i jep të drejtë Valeria Srl, fatura ndëshkimore mund të shkojë në disa miliona euro.

“Në veçanti, gjykata tha se mund të shprehet mbi kërkesën e investitorit për dëmshpërblimin e shkaktuar nga mosrespektimi i marrëveshjes për riaktivizimin e ndërmarrjes së përbashkët (me shtetin shqiptar – shënim redaksional), AgriGosë, që ka lidhje me ngjarjet që ndodhen pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes bilaterale të tregtisë. Gjykata përjashtoi vetëm kërkesën e lidhur me drejtpërdrejt me humbjet nga revokimi i koncesionit për përdorimin e tokës, të ndodhur para hyrjes në fuqi të marrëveshje së tregtisë dhe mbrojtjes së investimeve mes Italisë dhe Shqipërisë, në vitin 1996”, thotë zyra ligjore italiane.

Marrëveshja e ndërmarrjes së përbashkët parashikonte dhënien me koncesion të 582 hektarëve tokë deri në vitin 2050. Ky koncesion u revokua që në vitin 1994, një vit pasi kompania italiane, Valeria Srl kishte siguruar 83 për qind të aksioneve në ndërmarrjen AgriGosë. Pjesa tjetër e aksioneve ishin shtetërore.

Në një vendim të mëvonshëm, Qeveria shqiptare pranoi që ta riaktivizojë ndërmarrjen e përbashkët me kompaninë italiane, kryesisht në fushën e prodhimit të fidanëve dhe fruta-perimeve. Por, sipas kompanisë italiane, Shqipëria e respektoi vetëm pjesërisht marrëveshjen, duke i dhënë me koncesion kompanisë 276 hektarë tokë, por të shpërndara në zona të ndryshme.

Kompania thotë se sasia e tokave ishte e pamjaftueshme që ajo të siguronte aktivitetin normal dhe fitimin e garantuar të vetin dhe kjo, sipas zyrës ligjore, detyroi kompaninë italiane që në vitin 2014 të shiste aksionet e veta.

Në arsyetimin e dhënë në pranimin e shqyrtimit të kësaj padie, gjykata e arbitrazhit të OKB-së thotë se pretendimi i palës shqiptare se kompania italiane i ka siguruar fitimin e vet në bazë të kontributeve të dhëna në sipërmarrjen e përbashkët, “AgriGosë” bie.

Gjykata ka rrëzuar gjithashtu edhe pretendimi se roli i kompanisë Valeria Srl në këtë sipërmarrje ka qenë pasiv, duke theksuar se kohëzgjatja e kompanisë në këtë investim mund të sugjerojë se ajo nuk ka përfituar në mënyrë të drejtë fitimet e siguruara nga “AgriGosë’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë