Drejtësia

Arbër Çekajt i refuzohet kërkesa për të dalë nga regjimi i izolimit ‘41-Bis’

Arbër Çekaj do të vijojë të qëndrojë ende në izolim në regjimin e ashtuquajtur ’41-Bis’. Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e  Çekajt, pasi paraqet ende rrezikshmëri dhe do duhet të vazhdojë të qëndrojë në izolim.

Çekaj është dënuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut të kokainës, pasi iu kap sasia prej 613 kg kokainë më 27 shkurt 2018 që e kishte fshehur në dyshemenë e kontejnerit me banane.

Në gusht, së bashku me Fatmir Pjetrin, tentuan që të arratiseshin nga burgu 313 në Tiranë, por u kapën në momentin e fundit nga gardianët.

Ata kishin planifikuar të kapërcenin muret e jashtme të burgut, në një moment kur gardianët nuk e kishin mendjen pasi po transportonin një tjetër të burgosur (Lulzim Cepelen) që kishte tentuar vetvrasjen.

Por gjithçka dështoi, pasi një punonjës policie i ka pikasur në momentin që ata kanë zbritur nga tarraca dhe ka dhënë sinjalin tek kolegët e tjerë. Nga përleshja me ta, efektivi ka mbetur i plagosur.

Në lidhje me këtë ngjarje, prokuroria nisi një hetim për veprën penale “Shpërdorim detyre” për gjashtë punonjës policie të burgjeve, të cilët sipas saj nuk kanë mundur të gjejnë litarin dhe çengelin e përdorur nga Fatmir Pjetri në tentativën për t’u arratisur. Arbër Çekaj është dënuar me 14 vjet heqje lirie për trafikun e 613 kilogramëve kokainë nga Ekuadori në vitin 2018.

Ligji për regjimin e posaçëm i njohur si ‘41-Bis’ i përshtatur nga Italia, ka hyrë në fuqi edhe në Shqipëri prej janarit 2018, por zbatimi i tij është vonuar për mungesë të SPAK që u ngrit vetëm në dhjetor 2019.

Regjimi ‘41-Bis’ është qëndrimi prej një periudhë deri në një vit në një dhomë të monitoruar me kamera 24 orë, pa takime pa kontakt me botën jashtë, pa të drejtë të televizorit në qeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë