Ngjarje

Arabia Saudite do të sponsorizojë Kupën e Botës për Femra pavarësisht se është vendi që shkel të drejtat e tyre

Autoriteti i Turizmit i Arabisë Saudite njoftoi se do të sponsorizojë Kupën e Botës në Futboll për Femra në Australi dhe Zelandën e Re këtë vit, pavarësisht nga historia e shtypjes së të drejtave të grave në vend.

FIFA pritet të konfirmojë se “Visit Saudi” do t'u bashkohet markave ndërkombëtare si Adidas, Coca-Cola dhe Visa për t'i bashkangjitur emrin e saj turneut me 32 ekipe që do të nisë para 50,000 mbështetësve të pritur në Eden Park të Auckland më 20 korrik.

Marrëveshja është firmosur nën "strukturën e re të partneritetit tregtar" të FIFA-s, e dedikuar për zhvillimin e të ardhurave posaçërisht për lojën e grave, me fondet e krijuara nga Kupa e Botës që kthehen në sport. Por gjithsesi pritet të ketë skepticizëm mbi përshtatshmërinë e marrëveshjes, për shkak të shtypjes së lirive të grave në Arabinë Saudite.

Një sërë ndryshimesh ligjore kanë përmirësuar të drejtat e grave në Arabinë Saudite në vitet e fundit, duke përfshirë lejimin që gratë të mund të marrin patentë për drejtim automjeti, apo ndryshimet në ligjin shtypës të kujdestarisë që do të lejonte, për herë të parë, gratë të aplikonin për dokumente zyrtare si pasaporta dhe për të udhëtuar jashtë vendit në mënyrë të pavarur, pasur nevojën e një burri krah tyre.

Megjithatë, ligji për kujdestarinë nuk është hequr dhe gratë ende kanë nevojë për pëlqimin e një burri për t'u martuar dhe për të marrë forma të caktuara të kujdesit shëndetësor. Kujdestarët meshkuj gjithashtu mund të ndërmarrin veprime ligjore kundër grave për "mosbindje" dhe largim nga shtëpia.

Futbolli i femrave në vend ka parë gjithashtu ndryshime të qarta. Një dekadë më parë, zyrtarët sauditë po bënin thirrje për ndalimin e hixhabit në futboll, gjë që do t'i kishte penguar gratë vëzhguese të luanin futboll dhe në vitin 2017 gratë u ndaluan të ndiqnin ndeshjet si spektatore. Megjithatë, vitin e kaluar, Arabia Saudite u mbështet nga shumë tifoze femra në Kupën e Botës për Meshkuj në Katar dhe liga e parë mbarëkombëtare për femra në Arabinë Saudite u themelua në vitin 2020.

Ekipi Saudit i Femrave priti dhe fitoi një turne me katër skuadra këtë muaj, i cili i dha kombëtares së femrave vendin e parë në renditjen e FIFA-s.

Kupa e Botës për Femra shpreson të përshpejtojë rritjen e lojës së grave në mbarë botën, me një numër të zgjeruar të kombeve konkurruese dhe një turne të ndarë në dy vende për herë të parë. FIFA njoftoi të hënën se kishte zhvendosur ndeshjen hapëse të turneut në Stadiumin Australia me kapacitet prej 83,500 vendesh për shkak të kërkesës së lartë për bileta.

“Misioni i FIFA-s është të organizojë Kupën e Botës më të madhe dhe më të mirë të femrave në histori këtë vit dhe tifozët, ata që sjellin ngjyra, pasion dhe atmosferë në stadiume do të jenë një pjesë integrale e suksesit të turneut”, tha sekretarja e përgjithshme e FIFA-s, Fatma Samoura. “Me këtë në mendje, ne kemi marrë një vendim që do të mundësojë mbi 100,000 tifozë të ndjekin hapjen e kampionatit”.
Burimi: The Guardian, Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë