Nga Gazeta Si- Prej datës 30 gusht dhe deri në 2 shtator, u përmbyll procesi i 3 fazave të para të regjistrimeve të fituesve në universitetet publike e private në vend.
Sipas informacioneve zyrtare nga Rrjeti Akademik Shqiptar, në nisje të raundit të parë të regjistrimeve, janë mbi 8 mijë studentë të rinj të regjistruar në 3 fazat 48-orëshe që nisën të premten më 30 gusht duke përfunduar të hënën e 2 shtatorit në orën 16.00.
Ajo çfarë u vu re nga ky raund i parë ishte se në degët ku u zhvilluan konkurset si Mjekësia dhe Arkitektura, kuotat u ezauruan brenda 48-orëve, me Mjekësinë që brenda 24-orëve të para u mbyllën të gjitha kuotat, 436 të deklaruara nga fakulteti i Mjekësisë.
Kreu i RASH thotë se, ajo çfarë u vu re nga ky raund ishte fakti që kandidatët për studentë, maturantët ekselentë ‘bllokuan’ sistemin pasi ishin fitues në disa degë të përzgjedhura, madje kishte prej tyre dhe në të dhjetë preferencat.
“Ajo cfarë ka ndodhur me sistemin u-Albania, është fakti që në 48-orët e para ishte e pamundur të vëreje qartë se si kishte lëvizur lista e fituesve pasi shumë maturantë ekselentë kishin fituar disa degë studimi ndër 10 preferenca. Ndaj, disa maturantë nga dita e parë e regjistrimeve, nuk rezultuan fitues menjëherë duke iu shfaqur vija e kuqe në sistem. Maturantët që nuk dolën fitues në disa programe, këtë javë u pozicionuan më lart duke iu shfaqur ngjyra e verdhë që do të thotë se janë fitues në fazën vijuese, pasi sistemi kalkulon menjëherë në mënyrë automatike”, shpjegon kreu i RASH, Arjan Xhelaj.
Ndërsa në fakultetin e Ekonomisë, nga 1200 kuota të deklaruara për të gjitha degët, kanë mbetur akoma dhe mbi 250 kuota të lira, duke u dhënë mundësi të dytë maturantëve që nuk u përzgjodhën fitues në portalin u-albania.
Një shans për të tjerë maturantë që nuk fituan në asnjë degë preferenciale, do të jenë dhe degët më pak të përzgjedhura si Mësuesia dhe degët e Universitetit Bujqësor.
Në datat 6-13 shtator do të zhvillohen 4 faza të regjistrimit duke përmbyllur kështu raundin e parë të regjistrimeve, me 7 faza gjithsej.
Pas mbylljes së raundit të parë, nis faza e dytë e aplikimeve për vendet bosh të maturantëve jo fitues të fazës së parë.
Për maturantët nën 6.5, do të ofrohen programe 2 vjeçare profesionale, që lidhen me tregun e punës ndërkohë që viti i ri akademik 2024-2025 nis më 7 tetor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.