Nga Gazeta Si- Edhe pak ditë nis aplikimi në portalin U-Albania për të gjithë maturantët që duan të studiojnë në universitetet publike.
Në një prononcim për Gazetasi.al, drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj thotë se të gjithë kandidatët, rreth 29 mijë, që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z, prej 15 korrikut kanë nisur procedurat për aplikimin në universitet duke hedhur të dhënat në sistemin U-albania.
Sipas tij, procesi nuk ka pësuar ndryshime, çka nënkupton se gjërat kanë ecur mirë dhe nuk ka patur nevojë për ndryshime në këtë pikë.
“Deri më 29 Korrik, (e hënë) të gjithë maturantët që duan të aplikojnë në portalin U-albania, duhet të kenë dorëzuar mandat pagesat në sekretaritë e shkollave. Këto duhet të konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 29 korrik 2024, në portalin U-Albania.
Ndërsa më 30 korrik (të martën) deri në datën 4 gusht, kandidatët që duan të ndjekin studimet në IAL, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit, do të aplikojnë në portalin U-Albania nëpërmjet formularit online të aplikimit.
Aplikimi do të kryhet mbi bazën e notës mesatare sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për kriterin e notës mesatare dhe kritereve të tjera të përcaktuara nga IAL, duke zgjedhur deri në 10 (dhjetë) programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga IAL, për vitin akademik përkatës”, thotë Xhelaj.
Kreu I RASH, Arjan Xhelaj, thotë se sikurse dhe në vitet e shkuara, portali U-albania do të jetë i hapur 24 orë, ku secili nga kandidatët ka të drejtë të hedhë 10 preferenca për degët ku dëshiron të studiojë.
“Kandidatët për studentë të vitit akademik 2024-2025, duhet të ruajnë pjesën e fundit të mandatpagesës ku kanë kodin e aplikimit dhe në momentin që kanë vendosur për 10 degët, fusin kodin e aplikimit dhe konfirmojnë aplikimin”, thekson ai.
Sipas vendimit të ministrisë së Arsimit, pagesa e tarifës së aplikimit për në portal nuk ka ndryshuar, ajo do të jetë në vlerën 2000 (dy mijë) lekë dhe kryhet në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin U-Albania.
Edhe këtë vit, mesatarja që kanë propozuar universitetet për kandidatët për studentë, do të jetë 6.5.
Gjithashtu, tek kriteret e pranimit në universitet, mesatarja e përgjithshme e shkollës së mesme do të zërë 40%, ndërsa mesatarja e të gjitha provimeve të Maturës shtetërore 10%.
Universiteti më i madh publik, ai i Tiranës ka propozuar për vitin akademik 2024-2025, 4577 kuota.
Pas përfundimit të aplikimeve në portalin U-Albania do të shihet se sa kanë preferuar të studiojnë në arsimin e lartë publik.
Për këtë vit të ri akademik, pranimi do të jetë me konkurs në 4 degë, Mjekësia, Sporti e Artet dhe Arkitektura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.