Drejtësia

Apeli nuk ndryshon vendim, Blendi Teta do të vuajë 25 vite burg për vrasjen e ish-policit

Gazeta Si - Apeli i Gjykatës së Posaçme, ka dënuar përfundimisht me 25 vite burg Blendi Tetën, i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko.

Teta u shpall fajtor nga Apeli i GJKKO-së, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ai akuzohet se ka vëzhguar lëvizjet e Malkos dhe ka ndihmuar autorët në ekzekutimin e tij.

Teta ankimoi vendimin e dënimit, pasi ka mohuar se ka qenë  i përfshirë në vrasje. Sakaq, prokuroria ka depozituar prova të mjaftueshme për këtë të fundit, ndërsa gjykata e ka dënuar përfundimisht me 25 vite burg.

Fillimisht Blendi Teta u hetua për “moskallëzim krimi“, por pas hetimeve të mëtejshme të kryera nga prokuroria rezultoi se ai ishte në dijeni dhe pjesë e planit për vrasjen e tij.

Santiago Malko u vra në gusht 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë. Ish-efektivi i Policisë i cili u ekzekutua më 27 gusht 2019 brenda makinës së tij, ishte i dyshuar si i përfshirë në vepra të ndryshme penale.

Malko lëvizi pasditen e atentatit, nga spitali i Pediatrisë në Tiranë, drejt rrugës “Xhanfize Keko”, pasi atje kishte djalin të sëmurë dhe sipas prokurorisë, ka qenë pikërisht Blendi Teta me makinën e tij që ka ndjekur objektivin nga spitali drejt vendit ku u krye dhe atentati.

Teta është i vetmi i dënuar për këtë vrasje deri më tani, ndërsa prokuroria ka shpallur në kërkim 7 persona, anëtarë të ashtuquajturit "klani Duka" në Tiranë, të cilët dyshohet se organizuan dhe ekzekutuan planin për vrasjen e Santiago Malkos.

Në pretencën e tij, prokurori i tha gjykatës se vrasja e Malkos, ishte kryer për shkak të përplasjeve mes dy grupeve kriminale në Tiranë, që prokuroria e ka specifikuar atë të vëllezërve Duka dhe Ervis Martinit.

Ndaj këtyre personave, çështja gjyqësore vijon ende, me përjashtim të çështjes për të dënuarin Blendi Teta, që ndodhej në fazën përfundimtare.

Malko ndodhej në ambientet e një lavazhi në këtë zonë, ku sapo ka dalë në rrugë, është përballur me breshëri automatiku, duke mbetur i vdekur në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë