Shendet

Apeli i Skënder Bratajt: Infektimi midis dy dozave të vaksinës, rrezik i lartë

Skënder Brataj, drejtori i përgjitshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, bën apel për të pasur kujdes maksimal edhe nga personat që kanë marrë dozën e parë të vaksinës, pasi rreziku mbetet i lartë.

Me një postim në faqen e tij në Facebook, doktor Skënder Brataj sqaron me detaje se infektimi i mundshëm në periudhën mes dozës së parë dhe dozës së dytë, paraqet rrezik të lartë. Ja dhe postimi i plotë i doktor Bratajt:

Skënder Brataj, shefi i Urgjencës. Gazeta Si, 16 prill 2021

KUJDES!
Që nga fillimi i vaksinimit ka pasur jo pak raste infektimi me SarsCov2 edhe në ato raste kur është marë doza e parë e vaksinës. Nuk është vaksina që shkakton sëmundjen e Covid-19, por infektimi me SarsCov2. Specifikoj se ka pasur raste për të gjitha llojet e vaksinave që janë administruar në Shqipëri! Antitrupat kundër SarsCov2 fillojnë në javën e dytë pas injektimit të vaksinës.

Po ashtu përgjigja imunitare pas dozës së parë nuk është e lartë që të na mbrojë nga infektimi, por sidomos nga format e rënda. Antitrupat fillojnë të prodhohen në nivele të larta pas 7-10 ditësh nga marja e dozës së dytë. Vërtet që vaksina ul infeksionin dhe rastet e rënda por nëse infektohemi në periudhën midis dozës së parë dhe të dytë rreziku është i lartë.

Ne mund të infektohemi dhe të shfaqim sëmundjen e Covid-19 me të gjitha format e sajë, të lehta, të mesme dhe të rënda. Respektimi i masave mbrojtëse është i domosdoshëm, sidomos në këtë periudhë tranzitore.
Edhe pak durim, derisa të fitojmë këtë betejë të fundit me virusin. Jeta është pasuria më e madhe që kemi, prandaj ne duhet ta ruajmë atë!
Dr. Skender Brataj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë