Ngjarje

Anulohet vendimi, Gjeologjiku mbetet aty ku është

Qeveria ka anuluar një vendim të marrë në vitin 2014, sipas të cilit godina e Fakultetit të Gjeologji-Minierës, vendosur në kodrat e Liqenit Artifical i kalonte Ministrisë së Drejtësisë ku do të vendosej Gjykata e Lartë.

Vendimi pasoi protesta të forta të studentëve dhe pedagogëve të këtij fakultetit, të cilët u tubuan për disa ditë para godinës së Kryeministrisë për të kërkuar anulimin e tij.

Kryeministri Edi Rama takon studentët dhe pedagogët e Gjeologjikut gjatë protestës së tyre në 2014

Kryeministri Edi Rama priti në atë kohë një përfaqësi të pedagogëve dhe studentëve, të cilët në fund të takimit u shprehën se kishin marrë zotimin e kreut të Qeverisë për ta anuluar vendimin. Por, vendimi as u anulua dhe as u çua përpara.

Megjithëse VKM-ja në fjalë kishte hyrë në fuqi që në 2014, godina vazhdonte të shfrytëzohej nga Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierës i Universitetit Politeknik të Tiranës. Çështja u rikthye në qendër të vëmendjes gjatë protestës studentore të fundit të vitit të kaluar, kur pedagogët dhe studentët e këtij fakulteti ringritën shqetësimin e tyre mes kërkesave të studentëve të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë