Muzike

Anulohet ceremonia ‘MTV Europe Awards’, shkak lufta Izrael-Hamas

Ceremonia e “MTV Europe Music Awards” është anuluar për shkak të shqetësimeve të sigurisë “duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë e ngjarjeve botërore”.

Në një deklaratë që shpalli vendimin thuhet se “duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë e ngjarjeve botërore, ne kemi vendosur të mos ecim përpara me MTV EMA e vitit 2023 për shkak të kujdesit të madh për mijëra punonjës, anëtarët e ekuipazhit, artistët, fansat dhe partnerët që udhëtojnë nga të gjitha anët e botës për të sjellë në jetë shfaqjen”.

“MTV EMA” është një festë vjetore e muzikës globale. Ndërsa shohim ngjarjet shkatërruese në Izrael dhe Gaza që vazhdojnë të shpalosen, ky nuk duket si një moment për një festë globale. Me mijëra jetë tashmë të humbura, është një moment i zi”, thuhet në deklaratë.

Ngjarja vjetore do të zhvillohej në Paris të dielën më 5 nëntor, duke përfshirë yje si Taylor Swift, Olivia Rodrigo, Miley Cyrus dhe Nicki Minaj në mesin e të nominuarve të profilit të lartë.

Organizatorët thanë se mezi presin që eventi të kthehet në nëntor 2024.

Izraeli i është përgjigjur sulmit më vdekjeprurës në historinë e tij 75-vjeçare, duke u zotuar të asgjësojë Hamasin, duke vënë të gjithë 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës nën një rrethim total ku kanë mbetur të vrarë mijëra dhe më shumë se një milion të pastrehë.

Franca është në gjendjen më të lartë të gatishmërisë pas vrasjes më 13 tetor të një mësueseje në një sulm të dyshuar islamik.

Të mërkurën, tetë aeroporte franceze u përballën me alarme sigurie dhe disa u evakuuan për kontrolle, tha autoriteti i aviacionit DGAC dhe Pallati i Versajës u mbyll përsëri për shkak të sigurisë në pesë ditë.

Çmimet vjetore MTV Europe Music mbahen në një qytet të ndryshëm çdo vit. Ngjarja e vitit të kaluar ishte në Duseldorf në Gjermaninë perëndimore.

Sëift kishte udhëhequr nominimet e këtij viti me shtatë nominime, duke përfshirë artisten më të mirë, këngën më të mirë dhe videon më të mirë për hitin e saj “Anti-Hero”.

Ceremonia e çmimeve u mbajt për herë të fundit në Paris në 1995.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë