Lojëra me Dore

Antoni Devis hyn në historinë e Lejkërsave, 40 pikë ndaj Memfis

“Mvp! Mvp!” Ky ishte kori i “Staples Center” sa herë që Antoni Davis ishte pranë koshit. Ylli i Lejkërsave luajti me shpatullën e djathtë të dëmtuar, duke e mbajtur me akull kur trajneri e ulte në stol për ta çlodhur pak. Në mesin e periodës së dytë ai shkoi në dhomat e zhveshjes për ta fashuar më mirë, pasi nuk po e duronte dhimbjen. Megjithatë, në parket Devis ishte i papërmbajtshëm dhe mbrojtja e Memfis mund ta ndalte vetëm me faulle.

Devis ka bërë një ndeshje të jashtëzakonshme dhe ka hyrë në historinë e Lejkërsave, me 40 pikë dhe 20 ribaunde në 31 minuta. Realizoi 26 nga 27 gjuajtjet e lira në këtë ndeshje. Ai e udhëhoqi ekipin e tij në fitoren 120-91 ndaj Memfis, e treta radhazi. Duartrokitjet e “Staples Center” i ka merituar plotësisht. Basketbollisti i fundit i Lejkërsave me të paktën 40 pikë dhe 20 ribaunde ka qenë Shakill O’Nill, më 21 mars 2003, kur LeBron Xhejms nuk kishte hyrë ende në NBA. Trajneri i Los Anxheles Lejkërs, Frank Vogel, ashtu si ndaj Sharlote, u ul në “sediljen e pasagjerit” dhe ia la “timonin” Antoni Devis (I fundit që kishte realizuar 26 gjuajtje të lira ishte Majkëll Xhordan në 1987-ën).

Lejkërsat, me 3 fitore dhe 1 humbje këtë sezon, bënë diferencën me një 22-0 në gjysmën e dytë të periodës së tretë. Më parë stonuan në sulm, por me shpërthimin e Antoni Devis, i cili shënoi 20 nga 40 pikët e tij në periodën e tretë e pastaj u ul të bënte spektatorin, duke vënë akull në shpatull, suksesi u transformua në triumf. Lajmi i mirë për trajnerin Vogel është se mbrojtja ka funksionuar. Lejkërsat e detyruan kundërshtarin të humbte 21 topa që u kthyen në 30 pikë dhe fitorja u bë më e lehtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë