Komisioni Europian i bën thirrje Parlamentit dhe qeverisë shqiptare të shfrytëzojë mundësinë e kthimit nga Presidenti të paketës “Antishpifje” në Parlament, duke e përmirësuar dhe futur në ligj të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës. Ky është apeli i lëshuar nga Brukseli nga ana e zëdhënesës së KE-së, Ana Pisenero gjatë një deklarate për median. Kthimi i paketës për KE-në shihet si një mundësi për rishikimin e draftit tejet të kontestuar nga komuniteti i gazetarëve, organizatat e ndryshme për lirinë e shtypit, si dhe institucionet ndërkombëtare.
Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe ato duhen adresuar sërish. Faktin që Presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në Parlament e shohim si një mundësi për t’i pranuar ato. Ne shpresojmë që kjo të realizohet”, u shpreh zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero.
Lidhur me pyetjen specifike, nëse Komisioni Europian mbështet shprehimisht vetërregullimin në sektorin e medias, ky institucion është përgjigjur qartë, duke renditur edhe disa nga rekomandimet kryesore të Këshillit të Europë. “ Absolutisht që ne e mbështesim këtë. Ne mbështesim disa rekomandime të Këshillit të Europës jo vetëm për promovimin e vetëregullimit. Por ne e mbështesim qëllimin për ta kufizuar qëllimin e rregullimit vetëm për serviset e mediave audiovizive online, trajtimin gjyqësor të pavarur të ankesave lidhur me mediat, forcimin për transparencën e pronësisë sëë mediave në vend. Pra, ne mbështesim të gjita rekomandimet e Këshillit të Europës. Ato janë në përputhje me pritshmërinë tonë, që duhet ndjekur nga një vend aspirant”, u shpreh Pisonero. Liria e shprehjes dhe e mediave janë parakusht i Bashkimit Europian për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, që aspirojnë anëtarësimin në familjen e madhe europiane.
Presidenti e ktheu një javë më parë paketën Antishpifje, duke e cilësuar se nisma e qeverisë “Rama” bie në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe me disa prej parimeve të Konventave ndërkombëtare. Pavarësisht apelimeve të ndryshme dhe hapësirës së krijuar nga kthimi i dy ligjeve, mazhoranca ka dhënë sinjale negative. Kryetari i grupit parlamentare të PS-së, Taulant Balla ka deklaruar se socialsitët do të rrëzojnë dekretet e Metës, pasi sipas tij, nisma është në përputhje me rekomandimet e OSBE-së.
Seanca për votimit e dy dekreteve të presidentit Meta në Parlament është caktuar më 30 janar, dekreti do të shqyrtohet nga dy komisionet i Ligjeve dhe i Medias.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.