Ngjarje

Anketa: Ende ka gra që s’dinë ku të kërkojnë ndihmë po u dhunuan

Dhuna në familje nuk ka fund dhe gjatë kësaj periudhe duket se është shtuar edhe më shumë. Institucionet më të besuara për të kërkuar ndihmë mbeten policia dhe organizatat joqeveritare, ndërkohë ka ende gra e vajza që nuk dinë ku të kërkojnë ndihmë. Në këtë përfundim ka arritur organizata e Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri - AWEN në Shqipëri, në një anketim të fundit të kryer online në 12 qarqe të vendit.
“Bazuar në këto gjetje, rezulton se ka nevojë për një fushatë intensive në nivel kombëtar e lokal për të bërë të njohur kontaktet ku mund të kërkohet ndihmë për raste të dhunës dhe shërbimet ekzistuese që vazhdojnë të ofrohen pa ndërprerje nga institucionet përkatëse dhe nga organizatat e grave në të gjithë Shqipërinë. Gjetjet do të adresohen përmes një fushate intensive komunikimi gjate këtyre javëve,” thonë përfaqësues të organizatës, për Gazetën “Si”.
Nga të dhënat tregohet se gjysma e të anketuarave raporton se do të kërkonin ndihmë në polici 65.7%), ndërsa 1 në 4 persona (24.6%) të anketuar do t’i drejtohej organizatës në qytetin ku jeton.

AWEN deklaron se ky anketim kishte si qëllim të kuptonte sa informacion kanë qytetarët/et, rreth shërbimeve ekzistuese në ndihmë të viktimave dhe numrave të kontaktit, ku mund të drejtohen për ndihmë në rast nevoje gjatë kësaj situate të jashtëzakonshme. Raporti i publikuar në rrjetin social Facebook të shoqatës tregon se 1 në 5 të anketuar (21.88%), raporton që do t’i drejtoheshin rrethit të miqve apo familjarëve dhe 17.4% do të telefononin Linjën Kombëtare.
“Ajo çka është shqetësuese, është se një pjesë e grave e vajzave (7.3%) deklaron se nuk di se ku mund të drejtohet për të kërkuar ndihmë. Nga ana tjetër, një element i rëndësishëm është fakti se më shumë se gjysma e të anketuarve pranojnë se e njohin Linjën Kombëtare të Këshillimit (60.5%), megjithëse një pjesë e tyre 32.2% deklaron se nuk e mbajnë mend numrin 116, 117, një gjetje kjo gjithsesi pozitive, duke marrë parasysh që mjafton të bëhet një kërkim i menjëhershëm online për të mësuar numrin,” shkruhet më tej në raportimin e anketës.
Psikologja Delina Malaj tregon për Gazetën “Si” se stresi, ulja e pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme, mund të nxisë episode të dhunës. Malaj shprehet se ndërsa masat distancuese janë vendosur dhe njerëzit inkurajohen të qëndrojnë në shtëpi, rreziku nga dhuna e partnerit ka të ngjarë të rritet.

Psikologia Delina Malaj

“Mundësia që gratë të gjenden në një marrëdhënie abuzive dhe fëmijët e tyre të ekspozohen ndaj dhunës është rritur në mënyrë dramatike, pasi anëtarët e familjes kalojnë më shumë kohë në kontakt të ngushtë dhe familjet përballen me një formë stresi shtesë. Gjithashtu dhe humbjet e mundshme ekonomike ose të punës nxisin këto pasoja. Gratë mund të kenë më pak kontakte me familjen dhe miqtë që mund të ofrojnë mbështetje dhe mbrojtje nga dhuna. Gratë mbajnë barrën e punës së shtuar të kujdesit gjatë kësaj pandemie. Mbyllja e shkollës përkeqësohet edhe më shumë dhe kjo sjell barrë dhe vendos më shumë stres mbi to,” shprehet psikologia.
Ndërkohë, për sa i përket mënyrave se si do të kërkonin ndihmë, anketa tregon se më së shumti gratë përdornin telefonatat direkte duke telefonuar institucionin që zgjedhin, 3 deri në 4 qytetarë (74%).
“Pjesa tjetër e të anketuarve shprehet se do të dërgonin mesazh/sms (12.9%), do të përdornin aplikacionet si whatsapp ose viber (12.1%), ose messenger (5%). Një pjesë raportojnë se do të dërgonin e-mail (7.6%)”, shkruhet më tej në postimin e organizatës.
Ndërkohë që AWEN, deklaroi se përqindja më e lartë e qytetarëve pjesëmarrës ishte në qytetin e Tiranës.
Psikologia Malaj shprehet se megjithëse pandemia ka vendosur një ngarkesë të jashtëzakonshme në sistemet shëndetësore, ka gjëra që mund të ndihmojë në zbutjen e efekteve të dhunës për gratë dhe fëmijët
Psikologja Malaj tregon se ofruesit e shëndetit janë të vetëdijshëm për rreziqet dhe pasojat shëndetësore dhe psikologjike të dhunës ndaj grave, ndaj duhet të bëhet thirrje që të bashkëpunohet me organet kompetente dhe të mos bien pre e frikës së stigmatizimit.

“Anëtarët e komunitetit duhet të ndërgjegjësohen për rritjen e rrezikut të dhunës ndaj grave gjatë kësaj pandemie, nevojës për të mbajtur kontakte dhe mbështetur gratë që i nënshtrohen dhunës , informacione rreth asaj se ku është në dispozicion ndihma për të mbijetuarit. Kërkoni ndihmë nga një linjë telefonike, ose të kërkoni shërbime lokale për të mbijetuarit. Ata gjithashtu mund ta shohin të dobishëm të kenë një plani i sigurisë në rast se dhuna përshkallëzohet. Kujdesu për veten, për shëndetin tënd fizik dhe psikologjik! Mendo për të ardhmen që të prêt, shpëto!” shton Malaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë