Përpjekja e qeverisë për t’u mësuar fëmijëve anglishten që në klasë të parë nuk po lë gjurmë të mira. Ky është viti i parë dhe kanë kaluar vetëm tre muaj por për familjarët duket një vendim i nxituar.
Në shkollën 9-vjeçare "Edith Durham", teksa presin të dalin fëmijët nga klasa, prindërit pohojnë për gazetën "SI" se është rritur ngarkesa me futjen e anglishtes si lëndë mësimore.
"Ata kanë vështirësi në mësimin e gjuhës shqipe, le më të gjuhës së huaj", thotë një prind. Dikush tjetër thotë se e ka futur fëmijën në kurs për të avancuar më shumë. "Nuk kam pasur zgjidhje tjetër. Vetë jam në punë gjithë kohës, plus nuk kam njohuri në anglisht dhe nuk e ndihmoj dot. Por kam vendosur ta heq nga kursi e ta rivazhdoj në klasën e tretë", thotë prindi i një tjetër fëmije i klasës së parë në shkollën "Edith Durham" në zonën e Tiranës së Re.
Kurse për gjyshërit, kjo nismë e marrë për futjen e anglishtes në shkolla ishte barrë sidomos për prindërit.
"Nuk e di si e menduan por mbrëmë pashë vajzën që përpiqej të mësonte me mbesën përmbledhjen javore të vjershave dhe ishte shumë e vështirë", thotë një gjyshe.
Disa prindër në gjendje të mirë financiare kanë gjetur zgjidhje të tjera për avancimin e fëmijës në mësime. Ne biseduam me një mësuese shoqëruese e një nxënësi të klasës së parë, e cila e ndjek fëmijën në të gjitha lëndët.
Në këndvështrimin e saj, disa prej fëmijë që njohin internetin, dëgjojnë muzikë, shohin filma apo luajnë lojëra, janë më përparues në mësimin e gjuhës angleze.
"Unë kam ndjekur nga afër zhvillimin e gjuhës angleze dhe kam parë se fëmijët që njohin gjuhën angleze, janë fëmijë që lundrojnë në internet. Vështirësi ka, sidomos në shkrim, por këtë 3-mujor kanë mësuar të flasin dhe jo të shkruajnë", thotë mësuesja shoqëruese.
Mirëpo jo të gjitha familjet kanë mundësinë e intrenetit dhe pagesave kundrejt tij.
Sipas dy organizatave jo qeveritare RCA/ECPAT Shqipëri dhe Koalicioni për Arsimin që iu referohen të dhënave zyrtare nga INSTAT nga thuajse 850,000 familje që jetojnë në Shqipëri, vetëm 82.2 % e tyre kanë akses në internet, ndërsa rreth 153 mijë familje e kanë të pamundur. Shoqatat thonë se rreth 29.6 % e fëmijëve deri moshën 17 vjeç, janë të rrezikuar nga varfëria, që do të thotë se ata e kanë të pamundur të zotërojnë telefon smart, tabletë apo kompjuter.
Kur jetësoi vendimin Ministria e Arsimit pasi u pyet me këmbëngulje nga Gazetasi.al tha se futja e gjuhës angleze në klasë të parë vjen në bazë të rekomandimeve të Këshillit të Europës për fillimin e gjuhës së huaj në një moshë sa më të hershme.
Ndërsa sociologët dhe psikologët e pyetur nga gazetasi.al që në fillim të sezonit të ri arsimor thanë se kishin shumë pikëpytje nëse mësimi i anglishtes që në klasë të parë ia vlen dhe se shumica ishin kundër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.