Anglia pritet të investojë 11 mln paund prej të cilave 10 mln do të shkojnë “për të ndihmuar aftësitë dixhitale dhe perspektivën e punësimit tek të rinjtë në Ballkanin Perëndimor” dhe 1 milion paund të tjera për të adresuar trashigimnë e të kaluarës, përfshirë këtu identifikimin e viktimave të luftës së 1990-ës.
Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, fondi do ti shërbejë British Council për të kryer trajnime tek fëmijët e 4,500 shkollave me qëllim të rritjes së shkathtësive dixhitale dhe kompetencave kryesore në të gjithë rajonin.
Siç shprehet ministria në njoftimin e saj, “duke patur mundësi për edukimin dixhital, ky fond do të ndihmojë në promovimin e gjeneratës së ardhshme të inovatorëve dhe sipërmarrësve, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministria e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi gjithashtu se Sekretari i Jashtëm do të “përsërisë angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor duke shpallur një milion shtesë për të ndihmuar rajonin të adresojë çështjet e vështira të trashëgimisë të së kaluarës”
Sipas FCO, kjo përfshin “punën për të gjetur dhe identifikuar 12,000 viktimat që ende mungojnë nga konfliktet e viteve 1990”.
Për sekretarin e jashtëm “fondi i ri tregon angazhimin e përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor” dhe kjo “tregon dëshirën tonë për të ndihmuar rajonin që ka tejkaluar disa prej kapitujve më të vështirë në historinë e tij dhe të hapë rrugën për një të ardhme më të begatë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.