Gazeta Si - Një 26-vjeçar i shpallur në kërkim në Itali, i dyshuar si anëtar i grupit të trafikut të drogës që drejtohej nga Ergys Dashi (i ekzekutuar në janar në Ekuador) mes Amerikës Latine dhe Europës, është arrestuar në Tiranë.
Policia thotë se shtetasi Stivi Filolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Trafikimi i narkotikëve".
Filolli akuzohet se ishte pjesë e grupit të Ergys Dashit me bazë në Itali, i cili sillte kokainë nga Amerika Latine në Europë përmes Holandës dhe më pas e shpërndanin në shtete të ndryshme me sasi më të vogla.
Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë italiane, dyshohet se Filolli ishte korrier dhe asistent i Ergys Dashit gjatë operacioneve që ky i fundit kryente në Itali dhe në Amerikën Latine me transportin e lëndës narkotike.
Filolli sipas prokurorisë ishte personi që çonte dërgesat e Dashit te klientët me shumicë të kokainës. Para pak ditësh, policia italiane e Torinos arrestoi dhjetëra shqiptarë, të cilët dyshohet se janë pjesë e organizatës së drejtuar pikërisht nga Ergys Dashi.
Anetarët e grupit sipas prokurorisë italiane
1- Astrit Bajraktari alias "Mondi" rezident në Torino
2- Mariglen Haderi, rezident në Torino
3 - Rako Plaku, alias "ledi",
4- Andi Prifti, lindur në Fier,
5- Alfred Muçaj alias “Zhaku” lindur në Berat
6- Marek Michal Kowalczyk, shtetas polak
7- Marta Obara, shtetase polake
8- Saverio Girgenti shtetas italian lindur e rezident në Torino
9- Ergys Dashi
10- Edmond Dashi
11- Stivi Filolli, lindur në Tiranë,
12- Odise Leka
13- Ismet Ceka
14 - Rigels Yzeiraj
15- Alban Yzeiraj
16 - Bedrana Ahmiç
Grupi kriminal i drejtuar prej tij Dashit menaxhonte sasi të mëdha droge që mbërrinte në Europë dhe një kapital financiar që garantonte strehimin e korrierëve të drogës e makinat luksoze për transportimin e saj.
Makinat modifikoheshin në Slloveni, ndërsa banesat merreshin me qira nga persona të tretë, e përdoreshin si për strehimin e korrierëve dhe për magazinimin e lëndës narkotike. Kokaina mbërrinte nga Amerika e Jugut përmes rrugës detare në portet europiane duke përdorur teknikën "rip-off".
Kush ishte Ergys Dashi?
Ergys Dashi kishte lidhje me Plarent Dervishaj, kunati i Lul Berishës dhe Eldi Dizdarin, të dy të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të strehuar në Dubai, si vendi ku strehohen kriminelët shqiptarë për shkak se qeveria shqiptare nuk ka marrëveshje ekstradimi me autoritete në Dubai.
Dervishaj ka qenë i akuzuar si anëtar i bandës së Durrësit, ndërsa Eldi Dizdari njihet për lidhjet mes bosëve të drogës në Amerikën Latine dhe kishte lidhje shumë të forta me Ndraghetën.
E madje, Dashi në vitin 2014 është arrestuar nga policia italiane po për kultivim droge, si pjesë e një operacioni që çoi prapa hekurave 32 persona.
Trafiku i heroinës drejtohej nga shqiptari Ergys Dashi, në atë kohë vetëm 25 vjeç, i cili përfundoi pas hekurave pas një hetimi 3-vjeçar nga autoritete italiane në Pulia.
Transporti i drogës, heroinë e cilësisë së shkëlqyer, bëhej përmes makinave të modifikuara. Droga shitej me një çmim konkurrues, si për të lejuar fitime të mëdha për ata që e blenë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.