Ngjarje

Ana tjetër e medaljes/A pati të mërzitur nga maratona e vrapit në Tiranë?

"Kam të shtruar babain tek spitalet lart Medresesë dhe isha nisur për atje. Kam 30 minuta që pres autobuzin e Kasharit por s'po vjen, si duket për shkak të Maratonës”, tregon për Gazetasi.al Sokoli, një banor i Kasharit që qëndron në stacion.
Të njëjtin problem kishin dhe persona të tjerë të kësaj zone që donin të vinin deri në qendër.
Zonat periferike të dielën u "paralizuan" si shkak i maratonës dhe qytetarët u kthyen pas "në kohën e karantinës" siç thonë.
"U bëm si në kohën e karantinës. Si mbyllen autobusët pa lajmëruar, pa thënë se nuk do të ketë lëvizje të tilla. U detyrova të merrja taksi deri në rrethrrotullimin e 21. Ka edhe njerëz që nuk vrapojnë e kanë halle,"tregon Bedrija një 55-vjeçare e cila e kishte të pamundur të ecte.
Rrugët janë mbushur me njerëz që nxitojnë, jo për maratonën por për të mbaruar punët që kanë. Qytetarët që mbetën pa autobusë sot ishin të paralajmëruar për rrugët e bllokuara por jo për bllokimin e transportit publik. Të vetmit autobuzë në shërbim gjatës ditës së sotme ishin ata të Pezës dhe Ndroqit të cilët punonin me orare të reduktuara.
Përveç argëtimit të një pjesë qytetarësh, e diela u kthye në një sfidë ecje për shumë të tjerë, sidomos për moshën e tretë. Qytetarët rrinin në stacione të autobusave në pritje të tyre sepse nuk ishin të informuar që transporti publik nuk funksiononte!

"Dua të shkoj tek motra në "Rrugën e Kavajës",po tani e mora vesh që nuk ka autobuse. Ajo është e sëmurë dhe nuk mund të mos shkoj. Ja do eci në këmbë se nuk kam para të marr taksi. Do mundohem por s'kam çfarë të bëj," shton Arsimi një burrë rreth të gjashtëdhjetave.
Me mbajtjen e Maratonës, shumë rrugë sot janë të bllokuara deri në orën 5:00. Me përjashtim të mjeteve të emergjencës dhe të Policisë së Shtetit, ndalohet qarkullimi i mjeteve e këtu duket se përfshihet edhe transporti publik.

"Punoj në një dyqan rrobash te nëntë katshet dhe shtëpinë e kam në zonën e Laprakës. Mu desh të ndaloja tek Pallati i Sportit e të shkoj në këmbë deri atje", tregon Liza një 27 vjeçare e cila ishte detyruar të lëvizte në këmbë.
Ndërkaq duket se maratona pezulloi edhe vaksinimet në qendrat e mëdha në sheshin "Skënderbej" dhe stadiumin "Air Albania".
"Meqe isha këtu në qendër erdha të vaksinohem po ato gratë te sporteli më thanë se nuk kanë staf mjekësor",tregon për Gazetasi.al Zeneli, një tjetër i moshuar që kalon nxitimthi në qendër.
Pas një viti pushim, Maratona solli gëzim tek shumë njerëz por pakënaqësi tek të tjerët...që ju duhej të vazhdonin rutinën!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë