Editorial

Amnistia ka nevojë për qëllim

Nga Gazeta "Si" - Amnistia e parasë edhe nëse ndodh mund të shkaktojë të papritura të pakëndshme. Pse jo edhe tronditëse.

FMN e cila është kundër tha në Tiranë se “Amnistia dëmton moralin tatimor dhe duket si një kartë për të favorizuar evazorët, pasi përfshin një falje të konsiderueshme”.

Më herët, gjatë këtyre ditëve dhe BE u shfaq kundër.

Megjithëse i ka kundër të gjithë partnerët seriozë, qeveria kokëforte thotë se do ta kryejë këtë mision me çdo kusht.

Ajo nuk ka dhënë argumenta shpjeguese por e merr të mirëqenë përfitimin.

Për sa kohë mes përfitimit dhe dëmit ende nuk kemi një peshore të qartë, çdo skenar negativ mund të ndodhë. Siç mund të ketë edhe përftime të pa llogaritura më parë.

Ekspertët përbashkohen kur thonë se amnistia varet shumë nga qëllimi dhe konteksti. Dështimin dhe suksesin i ndan një fije në këtë rast.

Për sa kohë përfitimi nuk i bën dëm askujt ne jemi të shqetësuar për efektet negative. Koha është një faktor.

Sot ekonomitë botërore dhe Shqipëria mes tyre, janë në betejën e fortë me inflacionin.

Gjithë suksesi për të mbajtur nën kontroll rritjen e fuqishme të çmimeve është se cilat armë duhen përdorur dhe si duhen kombinuar për të zvogëluar paranë në qarkullim për sa kohë  kërkesa për të mira dhe shërbime mbetet e qëndrueshme. Madje ka mungesë mallrash në to siç është energjia.

Çlirimi nga amnistia i parasë së fshehur teorikisht do t’i  jepte hov inflacionit përmes disa rrugëve: Njëherë duke e mbajtur kërkesën e lartë , së dyti duke e bërë më të fortë presionin për rritjen e pagave.

Të dyja këto variabla janë shumë përcaktues në inflacion dhe sado të ndodh shtrëngimi i politikës monetare përmes rritjes së normës së interesit, ajo nuk mund të shkojë përtej ca caqeve dhe koha nuk pret efektet e saj.

Një mënyrë është të ulet konsumi. Por a u thuhet dot familjeve shqiptare të ulin konsumin kur shumicën e të ardhurave të tyre e përdorin për ushqim (40 përqind e shportës); kur ndër to rreth 20 përqind janë në nivelin e varfërisë dhe ku një pjesë tjetër dërrmuese janë përqëndruar shumë afër kufirit të sipërm të varfërisë. Është njësoj si të thuash konsumo më pak bukë, kur aq sa konsumohet në fakt është pak.

Duhet që paraja e amnistuar të shkojë edhe në një drejtim tjetër: të kontribuojë për rritjen ekonomike përmes investimeve.

Ekonomia është futur në cikël rënie dhe paraja e amnistuar mund të ndihmojë të mos bie dhe  madje ta ringrijë. Por që kjo të ndodhë duhen pyetur bizneset.

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se rreth 52 për qind e burimeve të financimit të një biznesi nuk vijnë as nga kredia dhe as nga paratë e veta por burime të tjera të panjohura. I dukshëm është ky porcion tek ndërtimi, hoteleria dhe restorantet si dhe informacioni. Janë si për koncidencë sektorët që mbajnë në këmbë ekonominë.

Ndërkohë po këta sektorë kanë peshë të detyrimeve financiare tek furnitorët jo pak të lartë. BSH raporton se p.sh tek hotelet dhe restoranet detyrimet zënë rreth 30 për qind, tek pasuritë e paluajtëshme rreth 23 për qind e kapitalit të biznesit janë detyrime.

Me këto shifra të konfirmuara nga një burim mjaftueshëm i besueshëm siç është BSH logjika të çon se paratë e përfituara nga amnistia mund të shkojnë së pari për të mbuluar këto nevoja në bilancet  e biznesve: kthim borxhesh dhe shlyerje të faturave tek furnitorët.

Praktikisht ato kërkojnë shumë para të cilat mund të gjenden nga aktivizimi i amnistisë.

Por a do të ngelen aq shumë para sa bizneset të aktivizojnë planet e investimeve?!

Përgjithësisht bizneset fillojnë e investojnë kur kohët janë të qeta dhe perspektiva më e dukshme. Sado para të kenë bizneset presin deri sa mjedisi të jetë favorizues dhe i parashikueshëm. Për sa kohë edhe situata është e paqartë si brenda dhe jashtë vendit, stanjacioni i biznesit në investime është më i mundshëm.

Kur sapo socialistët erdhën në pushtet në 2013-n u angazhuan fort politikisht për t’i kthyer biznesit një borxh prej 700 mln euro. Ai ishte krijuar nga qeveria e sapolarguar e djathtë për shkak të punëve publike të kryera por të papaguara nga thesari. Borxhi publik ishte arritur mbi 70 për qind të PBB-së dhe pagesa e  borxheve private u pa si një opsion për të riaktivizuar ekonominë e cila kishte marrë gjithashtu një dozë euforie nga rotacioni politik. Por edhe sot e kësaj ditë FMN është e çuditur se ku shkuan ato para dhe pse nuk dhanë efektin e dëshiruar?!.

Në mos gabofshin në prognozë, historia të korrigjon: Paratë e amnistuara nuk duhet t’u shërbejnë të pasurve për t’i bërë më të dallueshëm nga sa janë në shoqëri, por të ndihmojnë ata që janë më të varfërit se ta. Por a e kanë moralin këto para që presin të amistohen, kur munguan duke u fshehur nga ligji, atëherë kur duheshin më shumë?!.

Ndaj, amnistia para se të kryhet ka së pari nevojë të demonstrojë se ka qëllim të moralshëm me disa parakushte jo politike.  

(botuar më 10 tetor 2022)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë