Politike

Ndërkombëtarët i bëjnë bllokadë amnistisë fiskale, BE: Kemi shqetësim serioz për draftin aktual

Takimi i paralajmëruar në Kryeministri mes ambasadorëve të akredituar në Shqipëri dhe kryeministrit dhe ministrave për amnistinë fiskale u zhvendos papritur në vilën qeveritare numër 30. Vetë Rama nuk ishte pranishëm në këtë takim, por qeveria u përfaqësua nga ministret Olta Xhaçka, Delina Ibrahimaj dhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Qëndrimi i paralajmëruar i ndërkombëtarëve kundër amnistisë fiskale bëri që kryeministri Rama të mos jetë i pranishëm. Kundërshtia në bllok mësohet se është përsëritur në takim sërish. Sipas burimeve në këtë takim që ka zgjatur afro një orë, ndryshe sa ishte parashikuar, ka qenë një përfaqësi e vogël e ambasadorëve si nga SHBA, BE, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Ndërsa vetë delegacioni i Bashkimit Europian pas kësaj përballjeje “informale” doli me një deklaratë urgjente për mediat, duke ngritur shqetësimin për draftin aktual.

“Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me strukturat përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur se qeveria e tij do ta kalojë amnistinë fiskale, pavarësisht presioneve të ndërkombëtarëve.

“Amnistia Fiskale do të bëhet, sepse amnistinë fiskale e kërkojnë shumica dërmuese e shqiptarëve. E keni parë këtë edhe në Këshillimin Kombëtar. Këtë ligj e kërkon 60 e kusur për qind e njerëzve të këtij vendi dhe këtë ligj e kërkojnë të gjithë emigrantët që heqin picir për të sjellë paratë këtu dhe ju qani hallin sa do mërzitet BE-ja apo sa do mërzitet Amerika? Çfarë halli qani? Këta i kanë punët në rregull. Ne do t’i bëjmë punët në rregull si ata dhe natyrisht duke bashkëpunuar me ta”, do te deklaronte Rama.

Amnistia fiskale do të mbetet pezull, pasi ndërkombëtarë kanë kërkuar vijimin e konsultimeve për draftin, duke shkaktuar bllokimin për miratimin e saj për momentin në Parlament në një kohë pacaktuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë