Nga Gazeta “SI” – Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nxjerrë për konsultim publik projektrregulloren që synon të rregullojë aktivitetin e kompanive që do të listohen në Bursën vendase të kapitalit.
Projektrregullorja përcakton se kompanitë duhet të publikojnë raporte vjetore, gjashtëmujore dhe të ndërmjetme, por kjo nuk vlen për kompanitë që tregojnë tituj me vlerë deri në 6 mln lekë apo më pak.
Detyrime të tjera të kompanive janë edhe informacionet që lidhen me çmimet e titujve, si, informacion për pjesëmarrjet e rëndësishme në kapital, informacione për mbajtësit e titujve të pranuar për tregtim në një treg të rregulluar, informacione të privilegjuara, informacione mbi transaksionet e drejtuesve, informacion të përcaktuar nga bursa, për të mbrojtur investitorin dhe funksionimin efektiv të tregut, që bëhet publik kur kërkohet nga bursa.
Projektrregullorja përcakton se çdo aksionar, i cili blen ose shet aksionet e emetuesit, aksionet e të cilit janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar, duhet të njoftojnë menjëherë emetuesin për pjesën e të drejtave të votës që zotëron nga kjo blerje/shitje, kur kjo pjesë arrin, tejkalon ose është nën kufirin prej 10%, 30%, 50% dhe 75%.
Gjithashtu, edhe emetuesi ka detyrimin të raportojë nëse blen apo shet aksionet e veta të cilat janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar, kur kjo pjesë arrin, tejkalon ose është nën kufirin prej 10% i të drejtave të votimit.
Pas marrjes së informacionit nga aksionari, emetuesi e publikon atë në mënyrë që të aksesohet nga publiku.
Të gjitha të dhënat e shoqërive do të ruhen në një databazë qendrore që ofron cilësi në sigurinë e sistemit, besueshmërinë e burimit të informacionit, regjistrimin në kohën e duhur dhe lehtësinë në akses nga përdoruesit.
Sipas AMF-së, kjo rregullore është e hartuar në koordinim me rregulloret europiane dhe në kuadër të mirëfunksionimit të tregut të rregulluar, ku tashmë me plotësimin e bazës ligjore dhe të infrastrukturës së tregtimit dhe pastregtimit, shoqëritë e regjistruara në Shqipëri kanë mundësinë t’i ofrojnë tituj ose aksione publikut të gjerë.
Ndërkohë, pak kohë më parë drejtori i AMF-së, Ervin Mete sugjeroi që kompanitë shtetërore të jenë të parat që të listohen në bursën kapitale. “Emetimi prej tyre i obligacioneve me ofertë publike do të ishte një shembull i mirë për emetuesit e tjerë korporatave”, tha Mete duke shtuar se ka hapësirë përtej titujve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




