Analize

Amerika ka ndryshuar presidentin, por jo politikat!

Fjalimi i Presidentit amerikan Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën dukej një kthim mbrapa në kohët më të lumtura kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë koordinoheshin për çdo vendim të politikës së jashtme. Fjalimi i tij për bashkëpunim ndërkombëtar kundër krizave botërore, si pandemia, ndryshimet klimatike dhe autoritarizmi, ishte i kundërt me atë të ish-Presidentit Donald Trump një vit më parë, të paktën në teori. Sipas fjalëve të Biden, Shtetet e Bashkuara janë rikthyer "përsëri në tryezën botërore".

Por gjatë këtyre tetë muajve në detyrë, Biden ende nuk e ka kthyer këtë retorikë në politikë. Ai mund të ketë përbuzur qasjen e Trump "Amerika e para" ndaj botës, por ai po bën çmos për të vazhduar trashëgiminë e Trump në gjithçka, nga politika e jashtme, tek tregtia dhe emigrimi.

Premtimi i Bidenit se "aleatët nuk janë vetëm" duhet të tingëllojë pak qesharak për francezët, të cilët janë akoma të tronditur nga marrëveshja e Uashingtonit me Mbretërinë e Bashkuar për t'i siguruar Australisë nëndetëse me energji bërthamore.

Pasi bëri përpjekje për t’u afruar me aleatët evropianë të cilët ishin të zemëruar nga katër vitet e administratës Trump, mënyra sesi Biden përjashtoi Francën nga kjo marrëvëshje, ishte e denjë për paraardhësin e tij.

Marrëveshja e zemëroi Francën kaq shumë për disa arsye. Kontrata ishte me vlerë rreth 66 miliardë dollarë dhe Presidenti francez Emmanuel Macron shpresonte se ajo do t’i jepte përparësi në fushatën e ardhshme zgjedhore. Marrëveshja e re gjithashtu përmbys plotësisht strategjinë e Francës në rajonin Indo-Paqësor, pikërisht kur Shtetet e Bashkuara thonë se po përpiqen të gjejnë aleatë për të ndihmuar në kufizimin e rritjes së ndikimit kinez në të gjithë zonën. Franca është një nga vendet e pakta evropiane me prani reale në Paqësor (megjithëse Britania po dërgon anije atje), dhe tani ajo do të dyfishojë dëshirën e saj për të siguruar një autonomi më të madhe strategjike.

"Politika e Biden është si ajo e Trump," tha ministri i jashtëm francez Jean-Yves Le Drian. "Vetëm se Biden i merr vendimet fshehtaz dhe jo në Twitter." Në një intervistë radiofonike, Le Drian e quajti këtë veprim një "goditje pas shpine" që mund të ishte pritur nga administrata Trump.

Të njëjtën gjë thonë diplomatët në Europë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine, të cilët shprehen se politikat e Bidenit janë si të Trump, të veshura me një pëlhurë propagande. Herëpashere, administrata Biden, ashtu si administrata Trump, nuk ka marrë parasysh ndikimin e vendimeve të saj të politikës së jashtme, mbi aleatët e amerikanëve, ose në besueshmërinë e Amerikës në skenën globale.

Ukraina, e cila u trondit nga administrata Trump, shpresonte që Biden do ta rivendoste në krye të agjendës. Në vend të kësaj, Biden vendosi të lejojë rusët të përfundojnë ndërtimin e një tubacioni të gazit natyror për në Gjermani që anashkalon Ukrainën. Ky gazsjellës do t'i kushtojë miliarda dollarë të ardhura Ukrainës, duke e bërë të varur nga energjia ruse. Vendimi për gazsjellësim Nord Stream 2 zemëroi gjithashtu edhe Poloninë, një aleate të NATO-s.

Por Polonia nuk ishte aleati i vetëm i mërzitur kohët e fundit. Tërheqja e shpejtë e Biden nga Afganistani ka shkaktuar pyetje më të thella në lidhje me besueshmërinë e Amerikës si një partner sigurie. Aleatët e NATO-s u ndjenë të mënjanuar nga njoftimi i papritur i Biden se të gjitha forcat amerikane do të largoheshin nga Afganistani deri më 31 gusht, duke lënë aleatët në baltë gjatë përfundimit kaotik të misionit 20-vjeçar, përpara marrjes së kontrollit nga talebanët. Disa vende të NATO-s thanë se nuk ishin në gjendje të evakuonin të gjithë personelin e tyre para afatit të vendosur nga Amerika.

Dhe tërheqja është një lajm i keq për popullin afgan, veçanërisht gratë dhe vajzat. Një raport i ri nga Amnesty International vëren se "talebanët po çmontojnë në mënyrë të vazhdueshme të gjitha arritjet e të drejtave të njeriut në njëzet vitet e fundit". Tani, frika po rritet se vendi do të jetë përsëri një strehë për grupet terroriste dhe tashmë po nxit një eksod të ri të azilkërkuesve që vërshojnë në Lindjen e Mesme dhe Europë.

Sa i përket tregtisë, axhenda e Bidenit është edhe më e ashpër se e Trump. Ndërsa ishte në detyrë, Trump e quajti veten "njeriu i tarifave". Edhe pse e kritikoi gjatë fushatës, Biden ka mbajtur shumicën e tarifave të ish-Presidentit Trump dhe madje ka zgjeruar disa.

Një tjetër fushë në të cilën ai kritikohet është marrëveshja bërthamore me Iranin, një marrëveshje tjetër e epokës Obama nga e cila Trump u tërhoq. Në fushatë, Biden premtoi se do t'i kthehej marrëveshjes nëse Irani do të pajtohej përsëri. Por ai ka shmangur prej muajsh negociatat dhe ka ashpërsuar sanksionet kundër Iranit edhe më tej.

Ai ka përkeqësuar po ashtu marrëdhëniet me Arabinë Saudite: Administrata e Biden njoftoi këtë muaj se do të tërhiqte sistemin e mbrojtjes raketore Patriot nga Arabia Saudite dhe vendet fqinje, edhe pse sauditët përballen me sulme me dron dhe raketa nga rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani. Ky veprim bëri që Princi Turki bin Faisal Al Saud, ish-shefi i inteligjencës saudite, i cili gjithashtu shërbeu si ambasador në Shtetet e Bashkuara, të thotë se bota duhet të sigurohet për angazhimin amerikan.

Nëse Amerika Latine shpresonte për një qasje të ndryshme nga ajo e Trump, po ashtu është zhgënjyer. Biden ka mbështetur vendosjen e sanksioneve më të ashpra nga Trump për Kubën, pikërisht kur kubanezët po vuajnë nga një krizë ekonomike e shkaktuar nga koronavirusi. Haiti është ende duke u tronditur nga vrasja e presidentit të tij në korrik dhe është në prag të kolapsit ekonomik. Megjithatë, Biden, i cili premtoi një qasje më humanitare ndaj emigrantëve sesa paraardhësi i tij, po dëbon në mënyrë çnjerëzore 14,000 emigrantë haitianë nën një urdhër emigrimi të vënë nga Trump, pavarësisht lutjeve nga qeveria e Haitit që të mos i kthejë sepse nuk mund të përballojë fluksin.

Biden po dëbon njerëzit më shpejtë sesa administrata Trump, sipas shifrave të Doganës së Mbrojtjes së Kufirit. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm emigrantët dhe refugjatët. Administrata e Biden zemëroi të gjithë Europën duke refuzuar të reagojë dhe të lejojë udhëtarët europianë në Shtetet e Bashkuara këtë verë, duke lehtësuar vetëm politikën për udhëtarët e vaksinuar plotësisht në prag të asamblesë së OKB-së.

Diplomacia e vaksinave e ndjekur Biden gjithashtu nuk ka fituar shumë miq. Organizata Botërore e Shëndetit e ka kritikuar atë për shtyrjen e amerikanëve për të bërë një dozë tretë përforcuese kur miliarda njerëz në të gjithë botën ende nuk kanë marrë dozën e parë. /Foreing Policy/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë