Interviste

Ambasadorja e Francës në Shqipëri: Korrupsioni, problem thelbësor. Kush shan, shan vetveten

Korrupsioni vazhdon të jetë një ndër problemet më madhore të shoqërisë shqiptare, ndërkohë që zgjedhjet parlamentare të 25 prillit janë një test për demokracinë në Shqipëri. Kështu shprehet ambasadorja franceze në Shqipëri, znj. Elisabeth Barsacq, ndërsa flet më tepër përë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, për problemet me të cilat përballet shoqëria shqiptare në rrugëtimin e saj drejt BE, por edhe problemet e vetë BE, si dhe për bashkëpunimet mes Shqipërisë dhe Francës në fusha të ndryshme: kulturoe, ekonomike dhe bujqësore.

- Sa të rëndësishme janë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit për procesin e integrimit? Cili është qëndrimi Francës për mënyrën se si po bëhet fushata elektorale dhe më pas për kontenstimet e mundshme (siç tashmë është bërë traditë)?

 Së pari, zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit janë të rëndësishme për vetë Shqipërinë. Unë besoj se është e rëndësishme ta kemi gjithmonë parasysh këtë fakt, ta kemi gjithmonë në vëmendje. Natyrisht, Shqipëria është vend kandidat. Negociatat e aderimit do të fillojnë së shpejti dhe ajo që është e rëndësishme për europianët është të shohin një proces elektoral që zhvillohet i qetë, pa fjalime urrejtjeje, me respekt reciprok mes kandidatëve. Në këtë kontekst, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian kanë bërë një thirrje të përbashkët më 25 mars, ditën e hapjes së fushatës zgjedhore, për të nënvizuar të gjithë së bashku si shtete anëtare, që do të mirëpresim Shqipërinë kur ajo të këtë përmbushur të gjithë Acquis Communautaire, rëndësinë e respektimit këtij qëndimi të qetë dhe të matur. Më pëlqen shumë të kujtoj fjalët e një autori kinez të periudhën para erës sonë, Konfuci, i cili thotë se “kush shan, shan vetveten!”. Prandaj mendoj se çdo politikan, kudo në botë, duhet t’i kujtojë shpesh këto fjalë dhe të respektojë kundërshtarët. Lufta politike është një betejë, por duhen respektuar rregullat dhe rregullat janë respekti reciprok, respektimi i zgjedhësve, duke mos kërkuar t’u blesh votat, respektimi i zgjedhësve duke i shpjeguar programin, duke i dëgjuar. Kjo besoj është shumë e rëndësishme. Shumë tema debati vërtiten këtu rreth luftës kundër korrupsionit, por ajo që tërheq vëmendjen time në bisedat me shqiptarët është se atyre i ka ardhur vërtet në majë të hundës korrupsioni. Ata e kanë kuptuar se është një sistem, ku të gjithë janë të implikuar, i cili duhet të këputet me forcë, në mënyrë që të dilet nga kjo gjë dhe të rifillohet mbi baza të reja, për të ndërtuar një ekonomi që funksionon, sepse një ekonomi në korrupsion fatkeqësisht nuk funksionon mirë. Për t’u rikthyer tek pyetja, zgjedhjet do të jenë një test natyrisht, por ato janë një test kudo, në çdo vend, një test për mirëfunksionimin demokratik të një vendi. Unë jam gjithashtu shumë e kënaqur me faktin se tani në Shqipëri, mosha që kam më ka mundësuar të njoh të kaluarën dhe them se mund të zhvillohen zgjedhje demokratike.

-Si e shihni rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian? Mendoni se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura? Sipas jush vazhdojnë të jenë korrupsioni apo pastrimi i parave ndër problemet kryesore të shoqërisë shqiptare?

Për sa i përket korrupsionit, besoj se iu përgjigja më lart. Korrupsioni dhe pastrimi i parave janë padyshim probleme thelbësore. Është absolutisht e nevojshme t’i bëhet ballë korrupsionit, kriminalitetit të organizuar, që ushqen pastrimin e parave para se Shqipëria të hyjë në BE. Nuk do të jetë e lehtë për Shqipërinë po pati nivel të lartë korrupsioni, të mund të funksionojë në një tërësi vendesh që funksionojnë pa korrupsion. Edhe për shoqërinë, mendoj unë, është shumë e rëndësishme të shihet se mund të bëhet edhe pa korrupsion. Pra, keni modelin europian që është aty, që ju propozohet, në mënyrë që Shqipëria të respektojë tërësinë e rregullave dhe të dilet nga një formë shoqërie, që funksionon në mënyrë të vazhdueshme me rregullin “unë të jap këtë, ti më jep atë”. Kjo nuk është e shëndetshme, për më tepër që mungon dhe transparenca. Vlerat europiane janë vlerat e transparencës, të hapjes. Qytetari ka të drejtë të kontrollojë çdo gjë që bëhet në fushën e politikës, ekonomisë dhe asaj sociale.

Kjo është një temë shumë e gjërë dhe mund të flasim gjatë. Por ajo që është më rëndësishme për Shqipërinë tani dhe pasi të kenë filluar negociatat është se legjislacioni i brendshëm do të duhet të përshtatet me Acquis Communautaire. Mendoj se kjo punë për të integruar Acquis Communautaire do të ndryshojë rrënjësisht vendin. Kam patur rastin ta shoh këtë gjë në karrierën time në disa vende anëtarë, të anëtarësuar kohët e fundit dhe të konstatoj se sa shumë implementimi i Acquis Communautaire është së pari një disiplinë. Kjo nuk është e lehtë, sepse nuk bëhet fjalë për miratim ligjesh dhe të thuash se legjislacionin e kam kështu apo ashtu. Duhet gjithashtu që ligjet të zbatohen dhe që çdo qytetar të mund të kontrollojë implementimin dhe zbatimin e Acquis Communautaire. Eshtë një punë e gjatë, por edhe një dinamikë e mrekullueshme për të ndryshaur vendin, për shembull, për ardhjen e investorëve të huaj, të cilët kanë nevojë për stabilitet juridik, kanë nevojë të njohin rregullat dhe kanë nevojë për transparencë.

Natyrisht që ka akoma shumë punë përpara. Ne themi “Roma nuk u ndërtua për një ditë”. Është e vërtetë gjithashtu se kjo gjë kërkon që shoqëria bëjë përpjekjet e saja dhe ta kuptojë se zbatimi i Acquis Communautaire nuk lidhet vetëm me miratim e ligjeve. Duhet pra, që të pranohen rregullat dhe të funksionojnë. Pra ështe një punë e gjatë për t’u bërë, duke filluar nga vetvetja, për të pranuar se nuk mund të funksionohet më me korrupsion, se nuk funksionohet se njeh njërin që njeh kushuririn apo kunatën. Por funksionon, sepse rregullat e së drejtës ekzistojnë dhe zbatohen.

Sipas jush cilat janë çështjet më imediate ku duhet të ndërhyhet, nëse mund të flisni më specifikisht, përshembull për reformën në drejtësi…

Për sa i përket reformës në drejtësi, dua të sjell në vëmendje faktin se Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme, të konsiderueshme, shumë të gjatë, sepse ka filluar prej kohësh, që në vitin 2014. Kjo do të thotë se duhet nënvizuar, edhe në nivele politike, fakti që reforma e drejtësisë është bërë dhe duhen treguar përparësitë që sjell për qytetarët. Kjo është e rëndësishme, se ata duhet ta dinë, se mund të shkojet në gjykatë dhe se nuk është e nevojshme t’i japësh zarfin gjykatësit, që ai të japë një vendim në favorin tënd. Kjo është, për mendimin tim, jashtëzakonisht e rëndësishme. Eksperienca e Shqipërisë në këtë drejtim është njohur nga Këshilli i Europës, pra, pikërisht përsa i përket vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, që gjendet në Strasburg pranë Këshilllit të Europës, ka pranuar se sistemi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve është në përputhje me konventat e Këshillit të Evropës në fushën e të drejtave të njeriut dhe kjo është diçka tepër e rëndësishme.

Bisedoi : Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë