Ngjarje

Ambasada e SHBA: Ç’prisni nga viti i ri? Shqiptarët: Duam drejtësinë por edhe… Llotarinë

"Viti i Ri 2020 erdhi dhe ne shpresojmë që të jetë një vit i mrekullueshëm për të gjithë ju! Çfarë prisni më shumë nga ky vit?" Ka mjaftuar kjo pyetje në një postim të Ambasadës Amerikane në Tiranë, që menjëherë qytetarët të vërshojnë lum me komentet dhe kërkesat e tyre. Më së shumti ata kërkojnë vendosjen përfundimtare të drejtësisë në këtë vend, por edhe arrestimin e politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar. Mes komentuesve nuk mungojnë as ata që duan t’ju bjerë Lotaria Amerikane.
"Presim një jetë më të mirë për fëmijët tanë dhe për vete, presim rroga më të mira, presim të ulet varfëria, presim rezultate të mira të drejtësisë dhe shpresojmë të shohim peshqit e mëdhenj në rrjetë, presim të zhduket korrupsioni se na mori frymën, presim drejtësi, që cdo njeri të vlerësohet nga trutë dhe jo nga kuleta", shkruan një nga komentueset E.L.
"Presim që ambasadorja e re të luajë një rol sa më aktiv që të shembet korrupsioni galopant që e rendit Shqipërinë në 3 vendet më të korruptuara të planetit…62%…dhe t’i jepet fund kaosit institucional që ka kapluar vendin, sidomos me shkatërrimin e sistemit gjyqësor… një postulat thotë që plagën kurrë nuk e shëron ai që e shkakton…të mos presim rregullimin nga ata që e shkaktuan këtë kaos… " shkruan më tej komentuesi M.L. "Shpresojmë që këtë vit Ambasada Amerikane të ushtrojë më shumë presion ndaj politikanëve të korruptuar dhe drejtësia të triumfojë!", komenton N.Gj.
Por, përvec kërkësave për një jetë më të mirë në Shqipëri dhe dënimin e të korruptuarve, ka edhe komentues që i dëshirojnë vetes t’u qëllojë Lotaria Amerikane.
"Llotarinë Amerikane, hajde një vit i mbarë për ju e për ne, me atë reformën që më në fund po vjen falë këmbënguljes suaj të madhe..!" shkruan komentuesi M.L. "Presim me padurim atë Lloton Amerikane", shkruan B.D. Ndërsa komentuesi Z.G. shkruan: "Pres të shkoj në USA sivjet..! Të jetoj ëndrrën amerikane".
"Nga ky vit presim dy gjëra: ose të gjithë shqiptarët të shpërngulemi në Amerikë ose të gjithë politikanët si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë të përfundojnë në burgje, dmth politikanët e krimit, sepse e ardhmja e fëmijëve tanë është duke u rrezikuar sëbashku me kombin tonë", shkruan L.H.
Edhe komentuesja H.C.gjithashtu shpreson "që këtë vit të marrë fund pritja e saj, për aprovimin e bashkimit familjar dhe të jetojë me bashkëshortin i cili jeton në USA".

https://www.facebook.com/usembassytirana/posts/10156942722635838

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë