Nga Xhuliana Toci – Pas shpërndarjës së vaksinave rë saj në pothuasje të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në disa vende anëtare të Bashkimit Europian, Kina shpreh gadishmërinë që t’ia sjellë edhe Shqipërisë.
Ambasada Kinezë në Tiranë thotë në një përgjigje për Gazetasi.al se Pekini është i hapur të ndihmojë Shqipërinë për të siguruar vaksinat e tij kundër COVID-19. Ambasada i thotë gazetës se “rruga e komunikimit midis dy palëve për zhvillimin e bashkëpunimit mbi vaksinën është e hapur” nëse dëshiron pala shqiptare. Megjithatë, ajo ngre shqetësimin se hyrja e vaksinës kineze në Shqipëri ka të bëjë me një sërë problemesh teknike.
“Kina mbeshtet me vendosmëri bashkëpunimin ndërkombëtar mbi vaksinën anti Covid-19. Kina dhe Shqipëria gëzojnë një miqësi tradicionale, rruga e komunikimit midis dy palëve për zhvillimin e bashkëpunimit mbi vaksinë është e hapur. Hyrja e vaksinës kineze në Shqipëri ka të bëjë me një sërë problemeve teknike. Në qoftë se pala shqiptare ka interes për vaksinën kineze, mund të kontaktojë direkt me kompanitë përkatëse kineze, ambasada kineze është e gatshme të japë asistencë të nevojshme. Gjithashtu jemi me kënaqësi të shohim që Shqipëria të sigurojë sasi të mjaftueshme të vaksinës nëpërmjet rrugave të ndryshme, dhe kemi dëshirë për të ofruar mbështetje të nevojshme”, i thotë Ambasada Kinezë për Gazetasi.al.

Reagimi vjen pak ditë, pasi qeveria shqiptare hapi rrugën negocimit edhe për vaksinën kineze “Sinopharm” dhe atë ruse “Sputnik V, përmes ndryshimit të legjislacionit për blerjen e vaksinave.
Qeveria ka ndërhyrë në aktin e parë normativ që kushtëzonte marrjen vetëm të vaksinave anti-Covid që janë miratuar më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Ndërhyrja është bërë në datën 12 mars dhe një ditë më vonë, pra të shtunën është publikuar në Fletoren Zyrtare. Ndryshimet pasojnë një tjetër akt normativ të marrë gjatë mbledhjes së Qeverisë më 10 mars dhe të publikuar edhe në faqen zyrtare të Kryeministrisë, e sipas të cilit autorizohej Arben Ahmetaj, së bashku me Ogerta Manastirliun që të negociojnë marrjën e vaksinave jo vetëm me kompanitë e certifikuara nga SHBA e BE, por nga trupat certifikuese të vendeve prodhuese. Me ndërhyrjen e bërë shtohet pjesa “…ose të trupave të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksina anticovid-19”. Kjo do të thotë se i hapet dera hyrjes së vaksinave kineze e ruse, që janë të autorizuara nga autoritetet e vendeve përkatëse.
Publikisht, edhe kryeministri Edi Rama ka lënë disa herë të nënkuptohet se qeveria po sheh përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave. Deri më tani Shqipëria ka siguruar një furnzim periodik nga Pfizer dhe ka marrë gati 40 mijë doza të vaksinës Astrazeneca.
Megjithatë, vështirësia për të siguruar vaksinat të mjaftueshme për të përshpejtuar ritmin e vaksinimit, autoritetet e specializuara amerikane dhe europiane, mund të çojë Shqipërinë që të hedhë sytë dhe nga prodhimet kineze apo ruse, ndonëse deri pak më parë kjo mundësi ishte përjashtuar.
I pyetur së fundmi rreth nëse kishin nisur kontakte konkrete për vaksina kineze apo ruse, kryeministri nuk e mohoi duke deklaruar se gjithçka mund të ndodhi, sepse “jetojmë në Europë!”

Në një bashkëbisedim me qytetarët në Lezhë, kryeministri theksoi një javë më parë se tregu i vaksinave nuk është i lirë dhe është shumë i vështirë sigurimi i tyre. Ai mori shembullin e Gjermanisë, e cila sipas Ramës është duke negociuar me Kinën dhe Rusinë për vaksinat e prodhuara prej tyre.
“Deri dje kënga ime thoshte që çdo bën vaki jeton në Tiranë, sot do të thosha që jetojmë ne Evropë. Evropa ka nisur të mendojë dhe disa vende si Gjermania, që është lokomotiva e saj, ka nisur të hapë dialogun me Kinën dhe Rusinë. Duket e pabesueshme por e vërtetë. Është e paimagjinueshme që kontinentin më i pasur i planetit ndodhet në këtë situatë, ashtu siç duket e pabesueshme kur shpërthimi i pandemisë i kapi gafil të gjithë deh gjunjëzoi të gjitha shtetet. Kështu është dhe me vaksinën. Sot janë katër kompani bashkë me atë të fundit Amerikane që u komporua, të shtojmë dhe kinezen dhe rusen bëhen 6. Nuk jam aspak i bindur që mund të ndodhë, por çdo gjë mund të ndodhë në këtë Evropë. Ka rëndësi të bëjmë atë që duhet për njerëzit. Ka shumë njerëz që kujtojnë se mosmarrja e vaksinave kineze dhe ruse nga ne është çështje gjeopolitike”, tha kryeministri.
I gjithë Ballkani është duke u vaksinuar për momentin me vaksina kineze, përvec Shqipërisë dhe Kosovës. Serbia do të bëhet madje vendi i parë europian që prodhon vaksinat kineze Sinopharm kundër COVID-19, njoftoi të enjten Presidenti Aleksander Vuçiç.
Vendi do të nënshkruajë marrëveshjen për të ndërtuar një fabrikë — të bashkëfinancuar nga Kina dhe Emiratet Arabe – brenda dy javëve të ardhshme, tha Vuçiç transmetuesit RTS. Vuçiç tha se vaksinat e prodhuara nga Serbia mund të dorëzohen “edhe me kosto” në vendet e tjera në rajon, ashtu si ka ndihmuar deri më tani Malin e Zi, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut të furniznohen me vaksina kineze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje