Teater

Altin Basha, Kiço Londo, Arben Derhemi dhe Elma Dorezi, 4 kandidatë për Drejtorin e ri të Teatrit Kombëtar

Ministria e Kulturës do të dëgjojë programet e kandidatëve për drejtor të teatrit kombëtar. Dëgjesat do të mbahen në Ministrinë e Kulturës në prani të gazetarëve, po pa praninë e kamerave, siç është vepruar më herët edhe me procesin e përzgjedhjes së drejtorit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Por, kush janë emrat që kandidojnë për këtë post, pasi Hervin Çuli që drejtoi për dy mandate Teatrin Kombëtar deklaroi se nuk konkurron më?

Altin Basha

Është aktualisht drejtori i “Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli”. Ai e ka marrë detyrën vetëm një vit më parë, pasi u mbaroi mandati i Kiço Londos për të qenë në krye të skenës eksperimentale. Mësohet nga një vendim i Këshillit të Ministrave se vetëm para pak ditësh, Basha ka dhënë dorëheqjen nga institucioni që ndodhet tek e po njëjta ndërtesë, tek Arturbina për të qenë konform rregullave ligjore të këtij konkurrimi.

Kiço Londo

Ish-drejtor i Teatrit Eksperimental Kujtim Spahoivogli. Ndërtoi si drejtues 10 ambiente për teatrin, për aktorët e rinj dhe për ato të karrierës, por u largua vetëm pasi TKEKS u zhvendos në Arturbina për t’ia lënë vendin Altin Bashës, që konkurron tanimë sërish për të njëjtin pozicion atë të drejtorit të Teatrit Kombëtar. U largua dhjetorin e vitit 2020 me premtimin se nuk mund të jetonte pa teatër. Drejtoi këto kohë Teatrin Lëvizës Çajupi dhe rikthehet me një platformë artistike konkurruese.

Elma Dorezi

Regjisore që ka “Zbutur kryeneçen” në Teatrin Kombëtar e që ka ngjitur në skenë disa kryevepra të tjera të dramaturgjisë botërore. Shpeshherë ka ngritur zërin për problematikë që shqetësojnë skenën teatrale, e që ka dorëzuar kandidaturën e saj në konkursin e hapur për pozicionin e drejtorit të Teatrit Kombëtar.

Arben Derhemi

Kandidatura tjetër e bërë publike nga Ministria e Kulturës vjen nga radhët e aktorëve dhe është emri i Arben Derhemit. Ai ka dorëzuar platformën gjatë kësaj faze të konkurrimit dhe pritet ta prezantojë atë në Ministrinë e Kulturës. Gjatë tre viteve të fundit Derhemi është përfshirë fillimisht në betejën kundër prishjes së teatrit, më pas kundër teatrit në ambientet e Arturbinës, e tanimë si emri i tij renditet mes kandidatëve konkurrentë për postin e këtij institucioni, Teatrit Kombëtar vendosur edhe për disa vite të Arturbina derisa të ndërtohet godina e shumëpërfolur e këtij institucioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë