Ngjarje

ALO 116111 thirrje Zuckerbergut: Bëje Facebook-un të sigurtë për fëmijët!

Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë ALO 116-111, i është drejtuar me një kërkesë urgjente krijuesit të rrjeteve më të mëdha Facebook, Intsagram, etj, Mark Zuckenberg, për të nisur një luftë në ndryshimin e këtyre rrjeteve në mbrojtje tërësore të fëmijëve.
Sipas të dhënave dhe hulumtimeve nga NSPCC (National Society for the Prevention of Cruelty to Children) për Facebook, ka rezultuar se 1/3 e të gjithë abuzuesve dhe manipuluesve të fëmijëve përdorin instagramin për të rekrutuar viktimën e tyre.
Në këtë thirrje, ALO 116111, i është bashkuar shqetësimit që Aleanca Globale ka në drejtim të kreut të Facebook. Koalicion i madh global i përbërë nga ekspertët dhe aktivistët kryesorë të mbrojtjes së fëmijëve nga pesë kontinentet i kanë shkruar Mark Zuckerbergut për t’i kërkuar që Facebook të publikojë madje studimet e veta private në lidhje me rreziqet me të cilat përballen fëmijët dhe të rinjtë në platformat e saj.
“ALO 116111 bashkohet me shqetësimin e Aleancës Globale në lidhje me mënyrën sesi Facebook trajton të dhënat dhe sigurinë e fëmijëve dhe me heshtjen dhe mospublikimin e studimeve të saj mbi ndikimin që këto rrjete kanë në shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinj apo edhe në rrezikun e abuzimit ndaj fëmijëve”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e ALO 116111 në Shqipëri.
Aktivistët në mbrojtje të fëmijëve, i kërkojnë kompanisë të rivendosë mënyrën se si identifikon dhe si i përgjigjet rreziqeve të parashikueshme për fëmijët dhe të rinjtë në Facebook, Instagram dhe WhatsApp.
Aleanca Globale i ka kërkuar gjigandit të teknologjisë:
- Të ndajë studimin e plotë që Facebook ka bërë mbi shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe t’u japë akses në të dhënat e tij studiuesve të pavarur, organizatave të shoqërisë civile dhe rregullatorëve.
- Të publikojë se çfarë studimi kanë kryer në lidhje me mënyrën se si shërbimet e Facebook dhe mënyrën se si janë dizenjuar ato shërbime, se si ndikojnë në abuzimin seksual të fëmijëve dhe të publikojë gjetjet e studimit.
- Të publikojë vlerësimin e rrezikut të Facebook, përfshirë vlerësimin e rrezikut të kërkuar sipas Kodit të Fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar.
- Të bëjë transparent vlerësimet e reputacionit të produkteve të Facebook.
- Të rishikojë implikimet e mbrojtjes së fëmijëve në versionin e kodimit të bisedave (end-to-end encryption) dhe të bëjë një vlerësim të rrezikut dhe impaktit te fëmijët.
Pothuajse 60 organizata të sigurisë së fëmijëve dhe drejtuesit e sektorëve, të udhëhequr nga NSPCC (UK’s National Society for the Prevention of Cruelty to Children), kanë shprehur shqetësime të mëdha mbi qasjen që Facebook ka për mbrojtjen e fëmijëve nga dëmtimet serioze dhe i kanë bërë thirrje kompanisë të marrë disa hapa domethënës për të rikthyer besimin dhe t’u sigurojë fëmijëve dhe të rinjve siguri në përdorimin e shërbimeve të tyre.
Kjo lëvizje vjen pasi ish-punonjësja e Facebook, Frances Haugen zbuloi se si gjigandi i teknologjisë kishte dështuar për të vepruar bazuar në provat e grumbulluara për ndikimin që Instagram kishte në shëndetin mendor të vajzave adoleshente. Faktet tronditëse të zbuluara kohët e fundit nga ish-punonjësja Haugen vijnë pasi kompania deklaroi se kishte hequr 25.7 milionë artikuj të përmbajtjes së shfrytëzimit seksual të fëmijëve nga platformat e saj në tremujorin dytë të vitit 2020/21.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë