Lojëra me Dore

“All Star Game”, yjet e NBA dalin kundër organizimit

NBA ka vendosur të organizojë në mars ndeshjen e “All Star Game”, një nga eventet spektakolarë,  madje ka çelur edhe votimet për të përzgjedhur më të mirët. Këtë herë, të paktën yjet e basketbollit kanë dalë kundër organizimit të këtij takimi, sidomos në situatën e krijuar në Amerikë prej pandemisë Covid-19.

“Interesi im për këtë ndeshje është zero. Nuk dua të harxhoj energji për këtë ndeshje këtë sezon. Mund të jem aty fizikisht, por jo mendërisht. Në fillim na thanë se nuk do të luhet si ndeshje, por do të kemi 5 ditë pushim në mars. Tani organizojnë ndeshjen. Duket sikur tallen me ne”, tha LeBron James.

“Jemi në mes të një pandemie dhe po rrezikojnë duke bashkuar të gjithë Ligën në një qytet (Atlanta) ku rregullat anti-Covid janë të ulta”, tha James, ylli i Lakers. Ndërsa Kawhi Leonard, që luan me Clippers, shtoi: “Tani e kuptojmë qartë përse duan ta zhvillojnë, pasi në mes janë paratë. Ata po vënë paranë para jetës e shëndetit tonë”.

Edhe Giannis Antetokounmpo ndan të njëjtin mendim: “Duhet të ndjekim të gjithë këshillën e LeBron. Ai thotë se nuk ka interes për këtë ndeshje dhe jam i të njëjtit mendim. Mendonim se ato ditë do t’i kalonim me familjet. Nëse do të më urdhërojnë të luaj, do ta bëj, por nëse do të shihni brenda meje, kjo dëshirë nuk ekziston.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë